Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi se çdo dëm i shkaktuar ndaj anijeve ose anijeve të mallrave, në mes të tensioneve në Ngushticën e Hormuzit, do të kompensohet duke përdorur asetet iraniane që janë nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara. Kjo deklaratë nxiti reagim të menjëhershëm nga Teherani.
“Nga tash e tutje, çdo dhe i gjithë dëmi që i shkaktohet anijeve, anijeve të mallrave apo çdo gjëje që lidhet me to, do të paguhet me paratë iraniane që Shtetet e Bashkuara i kanë në zotërim dhe i kontrollojnë”, shkroi Trump në platformën e tij, Truth Social më 24 korrik.
Teherani i dënoi deklaratat e Trumpit, teksa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, e quajti propozimin e udhëheqësit amerikan një “precedent nxitës”. “Sekuestrimi i aseteve të një shteti tjetër për të paguar pretendime në të ardhmen që nuk kanë lidhje me to është një precedent nxitës”, shkroi Araqchi në një postim në X.
Ai paralajmëroi se “ata që festojnë ose përfitojnë nga këto fonde duhet të kujtojnë se sapo qeveritë ta normalizojnë konfiskimin, asetet e askujt nuk do të jenë më të sigurta”, duke shtuar se “kaosi që do të pasojë nuk do të jetë as i bukur dhe as paqësor”.
Këto zhvillime vijnë teksa Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane (CENTCOM) tha se forcat e saj kanë përfunduan natën e 13-të radhazi të sulmeve ndaj Iranit, duke shtuar se Ngushtica e Hormuzit mbetet e hapur për kalim detar.
“CENTCOM ka goditur komanda qendrore të ushtrisë iraniane, depo të dronëve, rrjete komunikimi, vende për vëzhgim detar dhe aftësi detare për të reduktuar edhe më shumë kërcënimi që Irani paraqet ndaj marinarëve civilë dhe anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit”, u tha në njoftimin e Komandës amerikane të publikuar në X më 24 korrik.
“Rruga ujore ndërkombëtare mbetet e hapur për lundrim pavarësisht sulmeve të fundit nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike. Anijet tregtare vazhdojnë të lundrojnë lirshëm nëpër ngushticë me mbështetjen e ushtrisë amerikane”, shtoi CENTCOM.
Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit janë rritur, teksa një armëpushim i arritur në mes të qershorit u zhbë dhe palët rinisën sulmet pasi Uashingtoni e akuzoi Teheranin për sulme ndaj anijeve që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit. Ngushtica e Hormuzit është rrugë kyç detare, pasi nëpër të kalon një e pesta e naftës dhe gazit në botë.
SHBA-ja ka thënë se Irani po e përdor këtë ngushticë si mjet presioni, duke argumentuar se ajo është një korridor ndërkombëtar që mbrohet nga e drejta ndërkombëtare
