Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime trupore pas një përleshjeje që ka ndodhur të enjten në Vushtrri. Kjo, sipas policisë ndodhi pas një mosmarrëveshjeje ku gjashtë të dyshuar kanë sulmuar dy viktima. Të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor.
Në vendin e ngjarjes, policia ka sekuestruar tri gëzhoja, ndërsa gjatë veprimeve hetimore është konfiskuar edhe një pistoletë me katër fishekë. Policia ka arrestuar pesë të dyshuar, ndërsa një person tjetër është shpallur në kërkim. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, katër nga të arrestuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa një i dyshuar është dërguar në mbajtje.
Policia tha se rasti është iniciuar si “vrasje në tentativë” dhe hetimet janë në vazhdim.
