“Një rrugë, një çerdhe, pak më shumë drita” – Sveçla kritikon

0%

Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka kritikuar mungesën e përfaqësuesve të ekzekutivit komunal në dëgjimet publike për buxhetin e vitit 2027.

Sveçla ka thënë se kërkesat e qytetarëve të paraqitura gjatë këtyre dëgjimeve kanë qenë të natyrës bazike, duke përfshirë përmirësimin e infrastrukturës, ndërtimin e çerdheve, ndriçimin publik, hapësirat e gjelbra, transportin publik dhe objektet arsimore.

“Një rrugë, një çerdhe, pak më shumë ndriçim publik, një shkollë ose aneks shkolle, më shumë hapësira të gjelbra, autobusë të rregullt e të pastër, një fushë sportive… Këto përbënin, në thelb, kërkesat e vetme që përfaqësuesit e lagjeve dhe fshatrave të Prishtinës paraqitën gjatë dëgjimeve publike për buxhetin e vitit 2027”, ka shkruar Sveçla.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, bëhet fjalë për kërkesa “bazike elementare dhe plotësisht legjitime”, të cilat siç shprehet ai, një qeverisje e përgjegjshme do të duhej t’i trajtonte me angazhim dhe vizion. “Megjithatë, mungesa e Kryetarit të Kryeqytetit, e nënkryetarëve dhe e shumicës së drejtorëve në këto dëgjime publike flet më shumë se çdo deklaratë.

Ajo tregon se Ekzekutivi aktual nuk e ka prioritet as t’i dëgjojë qytetarët, e aq më pak t’u japë zgjidhje problemeve të tyre”, ka deklaruar Sveçla. Ai ka theksuar se buxheti duhet të shihet si pasqyrë e prioriteteve të një qeverisjeje dhe se këto prioritete duhet të përcaktohen përmes dëgjimit të drejtpërdrejtë të kërkesave të qytetarëve.

“Buxheti nuk është vetëm një tabelë me shifra, por është pasqyra e prioriteteve të një qeverisjeje. Dhe këto prioritete duhet të përcaktohen duke dëgjuar qytetarët, duke njohur nevojat e tyre dhe duke punuar çdo ditë për t’i zgjidhur ato”, ka shkruar Sveçla.

Burimi: Telegrafi