Komisioni Evropian ka njoftuar miratimin e paketës së 21-të të sanksioneve ndaj Rusisë, duke deklaruar se masat e reja synojnë të kufizojnë aftësinë e Moskës për të financuar luftën në Ukrainë. Sipas Komisionit Evropian, ekonomia ruse po përballet me ngadalësim të ndjeshëm, ndërsa buxheti i vendit po vihet nën presion të shtuar.
Brukseli pretendon se më shumë se dy të tretat e aseteve likuide të fondit sovran të Rusisë janë shteruar. Në kuadër të paketës së re të sanksioneve përfshihen pezullimi i ndryshimeve në kufirin e çmimit të naftës ruse deri në korrik 2027, si dhe futja në listë e 41 anijeve të tjera të flotës së fshehtë që përdoren për shmangien e kufizimeve.
Masat e reja përfshijnë gjithashtu zgjerimin e ndalimeve ndaj më shumë se 100 bankave ruse, kufizime ndaj shërbimeve të kripto-aseteve në vendet e treta që ndihmojnë në anashkalimin e rregullave dhe për herë të parë synojnë ofruesit e shërbimeve detare për flotën e fshehtë ruse.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se paketa krijon gjithashtu bazën për ndalime vizash ndaj luftëtarëve, ish-luftëtarëve dhe grupeve aleate që marrin pjesë në luftën në Ukrainë. “Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, ka deklaruar Komisioni Evropian.
