Shqipëria regjistroi 9 166 350 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, ose 6,6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, gjatë periudhës janar-qershor në vend hynë 5 059 069 shtetas të huaj, duke shënuar një rritje prej 6,2%, ndërsa hyrjet e shtetasve shqiptarë arritën në 4 107 281, me një rritje prej 7,1%. Vetëm gjatë muajit qershor, në territor hynë 2 081 649 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 0,9% më shumë se në qershor 2025.
Prej tyre, 1 346 279 ishin shtetas të huaj, me një rritje vjetore prej 1,3%, ndërsa 735 370 ishin shtetas shqiptarë. INSTAT bën të ditur se gjatë qershorit nga Shqipëria dolën 2 008 987 shtetas shqiptarë dhe të huaj, ose 4,7% më shumë krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas rajoneve të origjinës, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj vijon të vijë nga Evropa.
Evropa Jugore përbën 66% të hyrjeve europiane, ndërsa Evropa Qendrore dhe Lindore zë 14%, shkruan ATSh. Të dhënat tregojnë gjithashtu se 98% e shtetasve të huaj kanë hyrë në Shqipëri për qëllime personale, tregues që është rritur me 1,6% krahasuar me qershorin e vitit 2025. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë shënuar një rënie prej 17,7%.
