Inteligjenca amerikane po heton nëse Rusia e ka ndihmuar Iranin me të dhëna për shënjestrimin ose teknologji të avancuar për dronët e përdorur në sulmet ndaj objekteve të CIA-s në rajonin e Gjirit Persik.
Sipas Reuters, hetuesit amerikanë ende nuk kanë arritur në një përfundim të prerë, por saktësia dhe efektiviteti i sulmeve, së bashku me mbështetjen teknike që Moska dyshohet se i ka ofruar Teheranit, kanë ngritur dyshime për përfshirjen ruse. Të paktën dy objekte të CIA-s u goditën gjatë muajit mars.
Njëri prej tyre ishte stacioni i agjencisë brenda Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Riad të Arabisë Saudite, ndërsa objekti tjetër ndodhej në lindje të Irakut. Dy zyrtarë perëndimorë të informuar mbi raportet e inteligjencës kanë thënë se në sulmin ndaj ambasadës mund të jenë përdorur versione të dronëve iranianë “Shahed”, të përmirësuara me teknologji ruse.
Nga sulmi nuk u raportua për të vrarë apo të plagosur. Rusia dyshohet gjithashtu se e ka ndihmuar Iranin në përmirësimin e saktësisë dhe rezistencës së dronëve ndaj sistemeve të bllokimit të sinjalit. Moska i ka mohuar raportimet se Teheranit i është furnizuar sistemi rus i navigimit satelitor “Kometa-M”.
Megjithatë, burimet kanë paralajmëruar se mbetet e mundur që Irani ta ketë shënjestruar përgjithësisht ambasadën amerikane dhe ta ketë goditur rastësisht pjesën ku ndodhej stacioni i CIA-s. Raporti është publikuar në kohën kur Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është takuar në Manila me ministrin e Jashtëm rus, Sergey Lavrov.
Pas takimit, Rubio deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të luajnë një rol konstruktiv në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
