Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se nga 1 janari deri më në vend janë regjistruar 21 raste të reja me HIV/AIDS. Sipas të dhënave të IKSHPK-së, gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën edhe dy persona të prekur nga HIV/AIDS.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë testime të hershme, duke theksuar se diagnostikimi në kohë është i rëndësishëm për fillimin e trajtimit dhe menaxhimin e sëmundjes. “Testimi është i thjeshtë dhe konfidencial. Testimi i hershëm shpëton jetë”, ka deklaruar IKSHPK-ja.
Personat e diagnostikuar me HIV mund ta mbajnë virusin nën kontroll përmes terapisë antiretrovirale, e cila ndihmon në forcimin e sistemit imunitar dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës. HIV-i është virus që sulmon sistemin imunitar të organizmit, ndërsa AIDS-i paraqet fazën më të avancuar të infeksionit, kur sistemi imunitar është dobësuar ndjeshëm.
Virusi mund të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale të pambrojtura, kontaktit me gjakun e infektuar, si dhe nga nëna te fëmija gjatë shtatzënisë, lindjes apo ushqyerjes me gji. IKSHPK-ja ka rikujtuar se HIV/AIDS nuk transmetohet përmes kontakteve të zakonshme sociale, si shtrëngimi i duarve, përqafimet, përdorimi i përbashkët i enëve ushqimore apo pickimi i mushkonjave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
