Rebelët Houthi të Jemenit kanë sulmuar me raketa dhe dronë dy cisterna saudite të naftës në Detin e Kuq, duke deklaruar se veprimi ishte kundërpërgjigje ndaj bllokadës së aeroporteve dhe porteve në zonat që kontrollojnë. Sipas tyre, sulmi është pjesë e strategjisë së “bllokadës për bllokadë”.
Autoritetet saudite konfirmuan se njëra nga cisternat u godit dhe mori flakë, por njoftuan se ekuipazhi është i sigurt. Edhe Agjencia Britanike për Sigurinë Detare raportoi incidentin dhe tha se zjarri në anije po vihej nën kontroll.
Përshkallëzimi i ri vjen pas bombardimit të aeroportit të Sanaas nga forcat e mbështetura nga Arabia Saudite, për të cilin Huthit pretendojnë se ishte shkaku i hakmarrjes së tyre. Ata kërkojnë heqjen e embargos ndaj porteve dhe aeroportit të Sanaas. Sulmet rrezikojnë sigurinë e lundrimit në Detin e Kuq, ndërsa disa anije janë detyruar të ndryshojnë itinerarin.
Kjo shton pasigurinë në një nga korridoret më të rëndësishme detare për transportin e energjisë. Ekspertët paralajmërojnë se, me Ngushticën e Hormuzit tashmë të prekur nga tensionet rajonale, çdo bllokim i rrugës detare Bab al-Mandeb mund të ndikojë ndjeshëm në furnizimin global me naftë dhe gaz, duke shkaktuar rritje të çmimeve dhe paqëndrueshmëri në tregjet ndërkombëtare.
