Barcelona po shqyrton mundësinë e transferimit të Darwin Nunezit si një alternativë me kosto më të ulët për repartin ofensiv gjatë kësaj vere. Sipas Mundo Deportivo, objektivi kryesor i klubit katalanas mbetet Julian Alvarez, por transferimi i argjentinasit është bërë gjithnjë e më i vështirë pasi Atletico Madridi ka refuzuar zyrtarisht mundësinë e largimit të tij.
Për këtë arsye, drejtuesit e Barcelonës kanë nisur të analizojnë opsione të tjera më të përballueshme financiarisht për të përforcuar sulmin. Situata mund të ndryshojë edhe më shumë nëse Ferran Torres largohet nga “Camp Nou”, pasi sulmuesi spanjoll vazhdon të lidhet me një transferim te Paris Saint-Germain.
Në këtë skenar, Darwin Nunez është shfaqur si një nga emrat që po monitorohen nga departamenti sportiv i Barcelonës. Sulmuesi uruguaian aktualisht është bashkuar me kampin përgatitor të Al Hilalit në Austri, por e ardhmja e tij në klubin saudit mbetet e paqartë nën drejtimin e trajnerit Simone Inzaghi. 26-vjeçari nuk ka luajtur në kampionatin saudit që nga muaji shkurt, pasi mbeti jashtë listës së lojtarëve të huaj për shkak të kufizimeve të rregullores pas transferimit të Karim Benzemas./ Telegrafi
