Transferimi i mundshëm i Rodrit te Real Madridi mund ta ketë pësuar një goditje të fortë. Mesfushori spanjoll i Manchester Cityt duhet t’i nënshtrohet një operacioni në shpinë, një situatë që mund ta komplikojë ndjeshëm kalimin e tij te klubi madrilen.
Rodri, i cili ishte një nga protagonistët kryesorë të Spanjës në Kupën e Botës 2026, ka luajtur me probleme fizike gjatë turneut, por pas përfundimit të kompeticionit është vendosur që zgjidhja më e mirë të jetë ndërhyrja kirurgjikale. Aktualisht nuk ka një afat të saktë për rikthimin e tij në fushë, shkruan “The Athletic”.
Kjo situatë ka krijuar pasiguri te Real Madridi, i cili prej kohësh po e vlerëson mundësinë për ta transferuar mesfushorin 29-vjeçar. Forma e tij, eksperienca dhe aftësia për ta kontrolluar lojën e kanë bërë Rodrin një objektiv shumë të dëshiruar për klubin “Los Blancos”, por gjendja e tij fizike tashmë është një faktor që mund të ndikojë në vendimin final.
Spanjolli e ka kaluar një periudhë të vështirë me dëmtime, pasi më herët e pësoi një dëmtim serioz në ligamentin kryqëzor të gjurit, ndërsa më pas problemet muskulore dhe tani shqetësimet në shpinë kanë ndikuar në vazhdimësinë e tij. Për Real Madridin, çështja Rodri mbetet një dilemë.
Klubi e vlerëson jashtëzakonisht shumë profilin e tij, por drejtuesit e klubit duhet ta marrin parasysh edhe rrezikun që sjell një investim i madh te një lojtar që po përballet me probleme fizike. Ndërkohë, Rodri vazhdon të jetë një nga mesfushorët më të vlerësuar në botë dhe më herët e ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim në Spanjë gjatë karrierës së tij..
