Yan Diomande mund të jetë një nga transferimet më të bujshme të kësaj vere. Sulmuesi anësor i RB Leipzig vazhdon të jetë objektiv i Paris Saint-Germain, ndërsa klubi gjerman i ka vendosur një çmim prej mbi 120 milionë eurosh për kartonin e tij.
Sipas raportimeve të BILD, drejtuesit e Leipzig nuk kanë ndërmend ta shesin lehtë reprezentuesin e Bregut të Fildishtë dhe kanë vendosur një vlerësim shumë të lartë për të dekurajuar klubet e interesuara. Megjithatë, pavarësisht këtij qëndrimi, brenda klubit gjerman po rritet bindja se mbajtja e Diomandes edhe për një sezon tjetër po bëhet gjithnjë e më e vështirë.
Interesimi i PSG-së mbetet konkret, ndërsa edhe vetë kampi i lojtarit dëshiron që transferimi të realizohet. Raporti shton se përfaqësuesit e Diomandes po i bëjnë presion kampionit francez që të përshpejtojë negociatat me Leipzigun dhe të arrijë një marrëveshje sa më shpejt.
Mbetet të shihet nëse PSG do të jetë e gatshme të afrohet me kërkesat financiare të RB Leipzig, apo nëse palët do të gjejnë një kompromis që do t’i hapte rrugë një prej transferimeve më të shtrenjta të afatit kalimtar.
