Një fotografi e publikuar në rrjetin social TikTok ka çuar Policinë e Kosovës në një bastisje në fshatin Skivjan të Gjakovës, ku është sekuestruar një armë zjarri dhe municion, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Fitim Hadri (28-vjeç).
Sipas burimeve të Sinjalit, më 22 korrik, rreth orës , Policia ka pranuar informacion se një person kishte publikuar në TikTok fotografi duke shfaqur një armë zjarri. Pas sigurimit të informatave dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, zyrtarët policorë kanë kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, me pëlqimin e dëshmitarit.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri e tipit ADAM 45F, dy karikatorë, 23 fishekë, si dhe një fishek i goditur nga gjilpëra goditëse, por i pashkrepur. Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari nuk ndodhet aktualisht në Kosovë, ndërsa gjatë procedurës është intervistuar një dëshmitar.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë në vazhdim. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
