Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave (AME) ka bërë thirrje për kujdes dhe gatishmëri të shtuar, pasi gjatë ditës së sotme priten zhvillime të fuqishme konvektive në Kosovë. Sipas AME-së, bazuar në paralajmërimin e hershëm të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), priten stuhi lokale me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta.
Si pasojë e këtyre kushteve atmosferike, mund të ketë përmbytje të shpejta lokale, dëmtime në objekte, automjete, infrastrukturë dhe kultura bujqësore. AME ka paralajmëruar gjithashtu për rrezik të shtuar nga zjarret si pasojë e shkarkimeve atmosferike, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, si dhe pengesa në sistemet e telekomunikacionit.
Rrezik i lartë paraqitet edhe nga goditjet e rrufesë, me pasoja të mundshme për njerëzit dhe kafshët. Qytetarëve u është bërë thirrje që gjatë stuhisë të qëndrojnë në ambiente të sigurta dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme. Po ashtu, AME ka këshilluar qytetarët të mos qëndrojnë nën pemë të larta, pranë objekteve metalike apo shtyllave elektrike.
Në komunikacion, qytetarët janë udhëzuar që të përshtatin shpejtësinë dhe të shmangin rrugët apo nënkalimet e mbuluara nga uji. Ndërkaq, qytetarëve u është bërë thirrje që të sigurojnë pajisjet dhe sendet në ballkone e oborre, të cilat mund të dëmtohen nga erërat e forta ose breshëri.
Njësitë e Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, së bashku me Qendrat Operative Emergjente, janë në gatishmëri të plotë reaguese në të gjithë territorin e Kosovës. Për raste emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë në këta numra: 112 – Qendra Operative Emergjente 192 – Policia e Kosovës 193 – Zjarrfikësit 194 – Ndihma e Shpejtë
