Sahit Kelmendi dhe rasti i Osijekut! Davor Shuker ndaj Prishtinës

0%

Prishtina kishte marrë një pikë të madhe (7 dhjetor, 1986) në Osijek në kuadër të javës së 16-të të Ligës së Parë të ish Jugosllavisë në futboll. Prishtina barazoi me rezultat 1:1 me Osijekun, ndërsa ndeshjen e karakterizoi edhe një provokim i Shmudllës ndaj Sahit Kelmendit në minutën e 75-të. Duhet theksuar se Davor Shuker goditi shtyllën pingule të Prishtinës në minutën e 70-të.

Osijeku renditej në vend të 4-të me 16 pikë dhe Prishtina në të 17-tin me 9 sosh. “Takimi ndërmjet Osjekut vendës dhe Prishtinës u zhvillua në kushte tejet të vështira. Moti ishte i ftohtë, fusha e ngrirë dhe tejet e papërshtatshme për të zhvilluar një lojë normale e cilësore.

Të dy skuadrat u përpoqën deri në maksimum dhe bënë një lojë më shumë atraktive për nga lufta e madhe për zotërimin e topit dhe organizimin e çdo aksioni, lojë çfarë mund të zhvillohet në këto kushte.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kuptohet se ajo nuk mundi të ketë ndonjë bukuri të madhe por, meqë e përshkoi vetëmohimi i pashoq, sidomos i futbollistëve të Prishtinës, ndeshja midis këtyre dy skuadrave, megjithatë, e arsyetoi veten dhe afro 3.000 shikues u ndanë të kënaqur me atë që treguan futbollistët e të dy skuadrave”, kishte shkruar gazetari Veli Vraniqi me 8 dhjetor të vitit 1986 për sportin e “Rilindjes”.

“Të themi se loja ishte mjaft e ashpër dhe se 15 minutat e fundit Prishtina luajti me një lojtar më pak ngase referi Jokiq nga Beogradi e ndëshkoi Kelmendin me karton të kuq kur ky e goditi një futbollist kundërshtar, atëherë kur ai nuk e kishte topin dhe pasi kishte akorduar referi goditje të dënimit në favor të Prishtinës.

Referi Jokiq i ndëshkoi edhe tre futbollistë të Osjekut me kartona të verdhë për lojën e tyre të ashpër”, shkruan më tej.

Sahit Kelmendi theu këmbën Prishtina fitoi një pikë shumë të vlefshme në Osjek, por atë e pagoi shumë shtrenjtë, ngase në këtë ndeshje theu këmbën njëri nga futbollistët më të mirë, Sahit Kelmendi, i cili, pasi nga dhimbjet e mëdha reagoi, por në mënyrë jo sportive, referi Jokiq i Beogradit me të drejtë e përjashtoi.

Ndaj Kelmendit startoi shumë ashpër Shmudlla dhe, siç na njoftoi masazhisti i Prishtinës, Nexhmedin Statovci, lëndimi është mjaft i rëndë. “Sahitit iu thye këmba e majtë në të ashtuquajturën fibulë. Pasi u konstatua thyerja, menjëherë këmba iu vu në gips, të cilin ky futbollist patjetër duhet ta mbajë së paku 21 ditë”, na tha Nexhmedin Statovci.

Osijeku – Prishtina 1:1 Ndeshja u zhvillua në stadiumin e qytetit në Osijek. Moti i ftohtë. Fusha shumë e papërshtatshme për lojë. Shikues – afro 3.000. Golat i shënuan: Rakella në minutën 32 për Osjekun, ndërsa Stoimir Urosheviqi (pas asistimit të Fadil Muriqit) në minutën 8 për Prishtinën. Referoi Zvonko Jokiqi i Beogradit, të cilit i ndihmuan Beusan i Dubrovnikut dhe Zekan i Splitit.

Me karton të kuq u ndëshkua Kelmendi i Prishtinës, ndërsa me të verdhë Shmudlla, Orshulliqi dhe Lepinjica të Osjekut. Osjeku: Biliqi 6, Shmudlla 6, Kostiqi 6, Kasallo 7, Zheravica 6, Orshulliqi 6 – Jerkoviqi 6, Llukiqi 6, Shuker 6, Rakella 7 dhe Allar 6 (Lepinjica 6).

Prishtina: Darko Bjellojeviq 7, Arbnor Morina 7, Faton Domi 7, Gani Llapashtica 7, Skënder Shengyli 7, Muhamed Kolenoviq 8, Mensur Nexhipi 6 (Goran Pupavac), Sahit Kelmendi 6, Boban Stankoviq 6, Fadil Muriqi 7 dhe Stoimir Urosheviq 6 (Fadil Berisha).

Burimi: Bota Sot