Kampionia e Kosovës në futbollin e femrave, Mitrovica, e ka nisur në mënyrën më të mirë aventurën evropiane, duke shënuar fitore bindëse në raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Në ndeshjen gjysmëfinale të këtij raundi, të zhvilluar në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, skuadra mitrovicase mposhti kampionen e Moldavisë, Zimbru Chisinau, me rezultat të thellë 10:0 dhe siguroi kualifikimin në finalen e raundit të parë kualifikues.
Protagoniste kryesore e kësaj fitoreje madhështore ishte Edona Kryeziu, e cila realizoi katër gola, duke udhëhequr skuadrën drejt suksesit. Paraqitje të shkëlqyer pati edhe Aurora Mulliqi, autore e tre golave, ndërsa Ambra Gjegji, Blerta Shala dhe Bardha Mahmuti kontribuuan me nga një gol.
Me këtë fitore, Mitrovica ka bërë hapin e parë drejt objektivit të saj në garat evropiane dhe tashmë do të përballet në finalen e raundit të parë kualifikues me kampionen e Bullgarisë, Ludogorets. Skuadra bullgare siguroi vendin në finale pas fitores 3:0 ndaj KÍ Klaksvík nga Ishujt Faroe, në ndeshjen e zhvilluar në Podujevë.
