Lëshonin leje qëndrimi për të huaj në këmbim të parave, Prokuroria

0%

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ndaluar për 48 orë tre persona, nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe falsifikim të dokumenteve.

Ndalimi është bërë pas një hetimi disa mujor të zhvilluar nga Departamenti për Krime të Rënda, përkatësisht Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Sipas Prokurorisë, dy nga personat e ndaluar janë zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Njëri prej tyre është zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC). Të dyshuarit me inicialet F.Sh. dhe G.J. dyshohet se, në cilësinë e zyrtarëve publikë dhe në bashkëkryerje, kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj në mënyrë të kundërligjshme, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës dhe duke përfituar, sipas dyshimeve, dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë, personi i tretë, me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’u mundësonte personave të tjerë të aplikonin dhe të pajiseshin në mënyrë të kundërligjshme me leje qëndrimi në Republikën e Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se, brenda afatit ligjor, Prokurori i Shtetit do të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për caktimin e ndonjërës prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Hetimet për rastin janë duke vazhduar, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente, mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi