Një koncert i Bad Bunny-t përfundoi në kaos për shkak të reshjeve me breshër me madhësinë e topave të golfit, duke lënë disa fansa me lëndime në kokë. Koncerti, që po mbahej të shtunën në mbrëmje në hipodromin e hapur La Maura në Milano, u ndërpre për shkak të motit të keq, i cili ka goditur pjesë të mëdha të Evropës gjatë javëve të fundit.
Pamjet nga koncerti treguan shkallën e lëndimeve të pësuara nga disa prej afro 80 mijë fansave të pranishëm në koncertin e dytë dhe të fundit të Bad Bunny në Milano, në kuadër të turneut botëror Debí Tirar Más Fotos. Një video e publikuar në TikTok tregonte një grua duke i hequr copa pëlhure të përgjakura nga koka e një burri, i cili dyshohet se ishte goditur nga breshëri.
Një tjetër video shfaqte një grup grash që ecnin së bashku nën disa pallto të trasha, të cilat i mbanin mbi kokë për t’u mbrojtur nga breshëri. Shumë të pranishëm u panë në videot e publikuara në internet duke hapur çadra ose duke mbajtur palltot mbi kokë për t’u mbrojtur.
Era e fortë, vetëtimat, shiu dhe breshëri e detyruan Bad Bunny, emri i vërtetë i të cilit është Benito Antonio Martínez Ocasio, ta ndërpriste koncertin që në këngën e shtatë. Përmes altoparlantëve në ambientet e koncertit, publikut iu kërkua të largohej sa më shpejt nga vendi i ngjarjes. Sipas organizatorëve, evakuimi nisi rreth orës sipas kohës lokale dhe përfundoi në orën .
Pas konsultimeve me policinë lokale, drejtori i LiveNation Italy, Roberto De Luca, njoftoi se koncerti do të anulohej plotësisht, nuk do të ricaktohej në një datë tjetër dhe se të gjithë fansat do të rimbursoheshin për biletat. “Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur për të menaxhuar sa më mirë situatën emergjente që preku 78 mijë spektatorët e koncertit të Bad Bunny,” tha ai.
“Duhet ta them se është një situatë me të cilën nuk jam përballur kurrë më parë gjatë 45 viteve të punës sime në këtë fushë.” De Luca shtoi: “Jemi këtu për të falënderuar personelin e sigurisë, i cili luajti një rol vendimtar në garantimin e sigurisë së turmës. Gjithashtu falënderojmë publikun, i cili gjatë emergjencës ruajti qetësinë dhe bashkëpunoi.”
Ndërkohë, në pjesë të tjera të Evropës, qindra persona janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa zjarret e mëdha vazhdojnë të përhapen në jug të kontinentit.
Spanja po përballet me disa vatra zjarri, ndërsa destinacionet e njohura turistike në Francë mbeten në gatishmëri të lartë për shkak të një vale të re të të nxehtit, e cila pritet të çojë temperaturat pranë 45 gradë Celsius.
Zjarrfikësit në Spanjë vazhdojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll një zjarr të madh në veri të Madridit, i cili ka djegur rreth 13 mijë hektarë tokë dhe ka detyruar evakuimin e rreth 700 banorëve.
Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, tha se qeveria po e monitoron nga afër situatën dhe vlerësoi punën e pandërprerë të ekipeve të emergjencës për përpjekjet e tyre në izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e komuniteteve pranë zonës së zjarrit.
