Katër të arrestuar në aksionin e përbashkët të Policisë dhe AKI-së,

0%

Katër persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe korrupsion.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla, në mesin e të arrestuarve janë dy zyrtarë të Divizionit për të Huaj, një zyrtar i Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetas i huaj.

Sveçla ka thënë se të dyshuarit, gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare dhe ndërmjetësuese, dyshohet se kanë ofruar shërbime për palë të ndryshme duke anashkaluar procedurat ligjore, me qëllim të përfitimit financiar.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Mirëpres aksionin e përbashkët të Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, i cili rezultoi me arrestimin e dy zyrtarëve të Divizionit për të Huaj, një të Agjencisë së Regjistrimit Civil dhe një shtetasi të huaj, për të cilët ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka ritheksuar se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i integritetit institucional mbeten prioritet, duke theksuar se çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare do të trajtohet me seriozitet të plotë.

“Askush nuk do të lejohet të përdorë pozitën zyrtare për përfitime personale në dëm të interesit publik dhe të drejtave të qytetarëve për trajtim të barabartë para institucioneve”, ka thënë Sveçla./Telegrafi.

Burimi: Telegrafi