Nga: Shaban Maxharraj Shpërndaje në: Publiku në sallën ku është mbajtur komemoracioni në nderim të tij, për katër dekada është mësuar ta shohë Beqën e Teatrit ndër të parët sa herë ia kanë mësyrë këtij institucioni.
Beqir Beqiri, të mërkurën në takimin përkujtimor, është nderuar si punëtori i heshtur që u shndërrua në shtyllë të Teatrit Kombëtar të Kosovës, urë lidhëse e këtij institucioni Ka shumë të ngjarë të jetë ngjarja e parë që Teatri Kombëtar i Kosovës ta organizojë pa koordinimin e tij në këta 40 vjetët e fundit.
Por nëpërmjet imazhit, organizatori i institucionit, Beqir Beqiri, qe aty, në holl, duke pritur ata që hynin në mbledhjen komemorative kushtuar atij. Si punonjës i zellshëm e shtyllë e institucionit është përkujtuar ai një ditë pasi vdiq në moshën 64-vjeçare. Publiku i asaj salle për katër dekada është mësuar ta shohë Beqirin ndër të parët sa herë ia kanë mësyrë TKK-së.
Bazuar në kontributin e bujarinë e tij, përfaqësuesit institucionalë e kolegët kanë thënë se kujtimi për të do të jetë i përhershëm. “Ai ishte njeriu që garantonte mbarëvajtjen e çdo procesi në teatër”, ka thënë udhëheqësi artistik, Kushtrim Mehmeti. Sipas tij, në TKK shumë prej punëve më të rëndësishme realizohen larg syrit të publikut.
“Ato mbështeten te njerëzit që punojnë në heshtje, pa kërkuar vëmendje, por duke mbajtur gjallë frymën e institucionit. Beqa ishte një prej tyre. Ai ishte garancia se çdo punë do të kryhej në kohë e me përpikëri, që dritat do të ndizeshin dhe fikeshin në momentin e duhur, që çdo mysafir do të pritej e përcillej me respekt dhe çdo aktivitet do të zhvillohej pa pengesa.
Prania e tij e qetë ishte mbështetja më e çmuar për të gjithë kolegët e tij”, ka thënë, midis të tjerash, Mehmeti. E ka përshkruar Beqirin edhe si urë lidhëse midis TKK-së dhe të gjitha teatrove shqiptare. “Ishte njeri i palodhur, i dashur, mikpritës dhe i respektuar nga të gjithë.
Sot TKK-ja ka humbur një nga shtyllat kryesore në të cilën është mbështetur për dekada me radhë”, ka thënë ai. Edhe Kulturë 1 d. më parë Beqir Beqiri – portreti i ndritshëm që u bë shtyllë e Teatrit Kombëtar Krahas fotografisë së Beqirit në skenë, ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se ai ishte njeriu që jetoi me teatrin dhe i dha institucionit përkushtimin dhe krejt çka diti e mundi.
“Me përulësinë e tij, buzëqeshjen dhe gatishmërinë për të qenë gjithmonë pranë të tjerëve, ai u bë pjesë e pandashme e TKK-së. Fatkeqësisht, fizikisht Beqën nuk do ta shohim më në teatër, por gjurmët që la pas do të jetojnë në çdo shfaqje dhe në kujtimet e atyre që kanë pasur nderin ta njohin Beqën. Sa herë kam ardhur në këtë teatër, fytyra e parë që kam parë ishte ajo e Beqës.
Dhe do të më mungojë sa herë të vij në këtë teatër”, ka thënë ajo. Në cilësinë e ministres në detyrë të Kulturës, Saranda Bogujevci ka thënë se Beqir Beqiri nuk ishte vetëm organizator, por një nga njerëzit mbi të cilët ndërtohej funksionimi i përditshëm i teatrit. “Ka njerëz puna e të cilëve nuk shihet nga publiku, por pa të cilët asgjë nuk realizohet.
Beqa ishte pikërisht njëri prej tyre. Ai koordinonte çdo detaj dhe me qetësi u jepte besim të gjithë atyre që punonin pranë tij”, ka thënë Bogujevci. Sipas saj, me punën e tij të heshtur, por të pazëvendësueshme, Beqiri dha një kontribut të çmuar në jetën artistike të vendit.
“Institucionet kulturore ndërtohen mbi vizionet e artistëve, por qëndrojnë fort falë njerëzve si Beqa, të cilët me përkushtim e ndershmëri e mbajnë gjallë jetën e tyre të përditshme”, ka thënë ajo. Në emër të familjes Beqiri, vëllai i tij, Nexhat Beqiri, ka falënderuar të pranishmit për respektin e treguar. “Beqa erdhi në fillim të viteve ’80 dhe në moshë të re iu bashkua TKK-së.
Teatri e mësoi, e edukoi dhe e bëri atë që ishte”, ka thënë ai. Në ceremoninë kushtuar punëtorit shumëvjeçar të TKK-së ka rënë në sy mungesa e shumicës së anëtarëve të ansamblit rezident të institucionit. Atyre që Beqir Beqiri i konsideronte të paprekshëm dhe, brenda mundësive, ua ka plotësuar krejt kërkesat edhe në raport me vënien ose jo të shfaqjeve të caktuara në skenë.
Edhe Kulturë 10 o. më parë Louvre hap Galerinë Apollo për herë të parë pas vjedhjes, largohen stolitë e çmuara I lindur më në Prishtinë, Beqiri do të niste punën në atë që dikur ishte Teatri Popullor Krahinor qysh në të 20-at. Pas një kohe të shkurtër, do të avancohej në organizator dhe më pas është bërë personazh i institucionit.
Janë të rralla rastet kur një anëtar i stafit mbështetës të skenës shndërrohet në personazh të institucionit. Beqa – siç është njohur dhe thirrur në vazhdimësi – ka qenë njëfarë konstanteje e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Thjesht ka mjaftuar të shihet portreti i tij dhe është kuptuar se cila është gjendja e teatrit.
Ka krijuar njëfarë profili ku, pa figurën e tij, s’ka ecur ndonjë proces në institucion. Me jetëgjatësinë në punë, qe edhe adresë e mbamendjes në institucion. Shpesh, me shpoti, i thuhej edhe “drejtori gjeneral”, pasi përreth katër dekada punë ka pritur e përcjellë dhjetëra drejtorë të institucionit, serbë e shqiptarë. Ka qenë pika e kontaktit midis stafit mbështetës dhe menaxhmentit.
E, po s’funksionoi kjo lloj ure, dështimi qe i sigurt. Edhe në ditën e kumtit për vdekjen e tij, shumë anëtarë të komunitetit teatror e kanë kujtuar si njeri me përkushtim të lartë në punë. Madje edhe si pamjen më të ndritshme të mundshme të Teatrit Kombëtar dhe si shtyllën, boshtin që e ka mbajtur funksionale punën në institucion.
