Prokuroria e Prishtinës ka ndarë detaje nga aksioni i sotëm, më , i Policisë së Kosovës dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), i cili rezultoi me katër të arrestuar. Sipas Prokurorisë, pas zhvillimit të hetimeve disamujore dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, me urdhër të prokurorit 3 të dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Nga personat e ndaluar, dy janë në cilësinë e personave zyrtarë në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), siç njoftoi edhe vetë ministri në detyrë, Xhelal Sveçla. Njëri zyrtar në Divizionin për të Huaj, ndërsa tjetri është zyrtar në Agjencinë e Regjistrimit Civil (ARC).
“Sipas dyshimeve të bazuara në fazën fillestare, të dyshuarit me inicialet F.Sh., dhe G.j., në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘’Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet për kryerjen e veprës penale ‘’Falsfikimi i dokumentit’’, nga neni 390 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – njofton Prokuroria.
Kurse, F. Sh., dhe G.J., nga hetimet e deritanishme kanë rezultuar se në cilësinë e personave zyrtarë, dyshohen se në bashkëkryerje kanë lëshuar leje qëndrimi për shtetas të huaj, duke u mundësuar atyre pajisjen me dokumentacionin përkatës, përmes të cilit dyshohet se kanë përfituar dobi pasurore në mënyrë të kundërligjshme.
“Ndërkaq, i dyshuari me inicialet D.K., dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme me qëllim që t’iu mundësojë personave të tjerë të aplikojnë dhe të pajisen në mënyrë të kundërligjshme me leje qendrimi në Republikën e Kosovës.” – ka shtuar Prokuroria.
Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të shqyrtojë mundësinë për paraqitjen e kërkesës për caktimin e ndonjerën prej masave të sigurisë ndaj të dyshuarve, në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kompetente mbetet e përkushtuar në luftimin e korrupsionit dhe krimit ekonomik, garantimin e sundimit të ligjit dhe mbrotjen e interesit publik.
Xhelal Sveçla, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, e ka mirëpritur këtë aksion të Policisë dhe AKI-së, duke njoftuar se për të arrestuarit ekziston dyshimi se në kuadër të ushtrimit të funksioneve të tyre zyrtare e ndërmjetësuese dhe me qëllim të përfitimit financiar, kanë kryer shërbime ndaj palëve duke anashkaluar procedurat ligjore.
“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve të integritetit, ligjshmërisë dhe llogaridhënies së çdo zyrtari publik. Çdo dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare, korrupsion apo cenim të besimit të qytetarëve do të trajtohet me seriozitet të plotë dhe në bashkëpunim të ngushtë me institucionet përgjegjëse të sigurisë dhe drejtësisë.” – ka shkruar Sveçla në Facebook.
