Një pacient që po trajtohet në Institutin e Psikiatrisë Forenzike të Kosovës (IPFK) është vendosur në repart ku, sipas fotografive të siguruara nga KALLXO.com, në mure shihen myk dhe lagështi. Sipas dokumenteve të siguruara nga KALLXO.com, pacienti, i cili është i vendosur në Repartin C të Institutit të Psikiatrisë Forenzike, është duke u trajtuar me terapi intensive për bronkit akut.
Në një përgjigje me shkrim për KALLXO.com, Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka konfirmuar se fotografitë e publikuara sot, më , janë realizuar në Institutin e Psikiatrisë Forenzike, por nuk është përgjigjur nëse pacienti me probleme në rrugët e frymëmarrjes duhet apo jo të qëndrojë në ambiente ku ka myk dhe lagështi.
“Lidhur me pacientin në fjalë, konfirmojmë se, në momentin kur është pranuar në IPFK me urdhër të gjykatës, është konsultuar pulmologu, i cili ka përshkruar terapinë përkatëse. Pacienti e ka marrë terapinë dhe gjendja e tij aktuale shëndetësore është stabile. Pikërisht për shkak të gjendjes së tij, ai është vendosur në një dhomë me kushtet e nevojshme” – thuhet në përgjigjen e SHSKUK-së.
Sipas SHSKUK-së, aktualisht në Institutin e Psikiatrisë Forenzike janë duke u trajtuar tetë pacientë. Institucioni ka sqaruar se gjendja e paraqitur në fotografi lidhet me punimet që janë duke u zhvilluar në kuadër të projektit për zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të Institutit.
“Ju informojmë se gjendja e paraqitur në fotografi lidhet me punimet që aktualisht janë duke u zhvilluar në kuadër të projektit për zgjerimin dhe rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të Institutit.
Për shkak të hapjes së mureve dhe zhvendosjes së izolimit të objektit, me qëllim të lidhjes së objektit ekzistues me hapësirat e reja, është ndikuar përkohësisht në pamjen e disa dhomave të repartit” – thuhet në përgjigje. Tutje, SHSKUK ka bërë të ditur se gjatë realizimit të punimeve janë ndërmarrë masa për të zvogëluar ndikimin negativ te pacientët.
“Gjatë gjithë periudhës së realizimit të punimeve, IPFK-ja ka ndërmarrë masa të vazhdueshme për të minimizuar ndikimin negativ të tyre në mirëqenien e personave të hospitalizuar në Repartin C. Si rrjedhojë, IPFK-ja ka punuar me kapacitete të reduktuara, ndërsa reparti në fjalë ka qenë jashtë funksionit për afro dy muaj” – thuhet në përgjigje.
Shqetësime për kushtet në Repartin C të Institutit Psikiatrik të Forenzikës kishte shprehur edhe Avokati i Popullit në vitin 2022. Siç nënvizonte ky institucion, në dhomat e Repartit ka rrjedhur ujë e ka pasur lagështi.
