Një person i moshës 61-vjeçare ka vdekur në Pozheran të Vitisë pas lëndimeve në kokë të pësuara pasi është rrëzuar në dyshemenë e ballkonit të shtëpisë së tij. Sipas Policisë dyshohet se rasti ka ndodhur si pasojë e përkeqësimit të kushteve atmosferike. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Valon Osmani, tha për KALLXO.com se rasti ka ndodhur sot, më , rreth orës .
Osmani tha se vdekjen e 61-vjeçarit e ka konstatuar mjeku kujdestar në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan. “Njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, dhe janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të ndriçimit dhe sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti”- theksoi ai.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Policia njoftoi gjithashtu se edhe dy burra nga i njëjti fshat kanë pësuar lëndime të lehta trupore si pasojë e rrëzimit të dyerve hyrëse të oborrit të tyre.
“Të njëjtit, pas trajtimit mjekësor të marrë në Qendrën Emergjente të Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, janë liruar për në shtëpi”- deklaroi Osmani.
Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan u ka bërë apel qytetarëve që gjatë kushteve të tilla atmosferike të kenë kujdes të shtuar, të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e rrezikuara dhe të respektojnë udhëzimet e institucioneve përgjegjëse.
