Trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, ka folur për herë të parë pas humbjes së dhimbshme 1:0 ndaj Spanjës në finalen e Kupës së Botës 2026, duke komentuar spekulimet për të ardhmen e tij dhe zërat për pensionimin e disa prej yjeve të kombëtares.
Pas rikthimit në vendlindjen e tij, Pujato, Scaloni dha një intervistë për “TyC Sports”, ku hodhi poshtë edhe teoritë që qarkulluan në rrjetet sociale për përçarje brenda ekipit. Ndërsa shumica e futbollistëve morën pjesë në paradën me autobus të hapur në Buenos Aires, Lionel Messi u kthye direkt në Rosario për të kaluar kohë në privatësi.
I pyetur për teoritë që u përhapën në rrjetet sociale lidhur me një fjalim viral të Messit, Scaloni u përgjigj: “Nuk i shoh rrjetet sociale. Nuk di asgjë. Nuk kam asnjë ide për çfarë po më flisni”. Ai mohoi kategorikisht çdo pretendim për probleme brenda skuadrës. “Nuk mund ta besoj atë që po më pyesni. Ne ecim në një drejtim krejt tjetër, djema”, shtoi ai.
Scaloni vlerësoi gjithashtu përkushtimin e futbollistëve gjatë turneut. “Gjëja më e rëndësishme është se djemtë dhanë gjithçka. Ata treguan karakter të jashtëzakonshëm me këtë fanellë dhe kjo është ajo që duhet të mbajmë mend. Shpresoj që edhe nesër, kur një lojtar të vijë te kombëtarja, të japë të njëjtën gjë. Ky është mesazhi”, tha ai.
Ai falënderoi edhe tifozët që pritën ekipin pranë aeroportit të Ezeizas. “Pritja ishte e jashtëzakonshme. Është e vështirë ta pranosh që nuk fitove, kjo është e qartë. Ne kemi ADN-në e fituesve, por është mirë të dimë se edhe kur humbim, dimë të sillemi me dinjitet. Edhe nga humbja mund të nxjerrësh gjëra pozitive”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Lionel Messi kishte reaguar edhe në Instagram pas finales, ku u pa duke qarë në stadiumin “MetLife”. “Dhimbja është shumë e madhe dhe do të jetë e vështirë të shërohet kjo plagë.
Megjithatë, mbetem edhe me të gjitha gjërat e mira: me ndeshjet që i përmbysëm duke dhënë gjithçka dhe që do të mbeten përgjithmonë në kujtesë, me mbështetjen e një vendi të tërë që, së bashku me punën dhe sakrificën e këtij grupi, na bëri edhe një herë të jemi ndër më të mirët në botë” , shkroi Messi.
Me të ardhmen ndërkombëtare të Lionel Messit dhe Emiliano Martinezit që mbetet e paqartë, Scaloni u pyet edhe për vazhdimësinë e tij në krye të Argjentinës. “Pas një turneu si ky, është normale që njeriu të fillojë të reflektojë për shumë gjëra. Deri në dhjetor jam këtu. Gjëja më e rëndësishme është mënyra se si ndodhën gjërat. Njerëzit e kuptuan se skuadra dha gjithçka.
Më pas, çfarë do të ndodhë më vonë… gjëja më e rëndësishme është gjithmonë Argjentina. Qoftë me mua apo pa mua në këtë detyrë, më e rëndësishmja është ky unitet dhe kjo lidhje”, tha Scaloni. Në fund, trajneri komentoi edhe pankartën kontroverse të shfaqur nga lojtarët argjentinas pas fitores ndaj Anglisë në gjysmëfinale. “Nuk kam asnjë informacion për këtë. Askush nuk na tha asgjë.
E kam parë ashtu si ju”, p ërfundoi Scaloni.
