Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi se lufta me Iranin i ka kushtuar deri tani Shteteve të Bashkuara rreth 37.5 miliardë dollarë, megjithëse ekspertët vlerësojnë se kostoja reale mund të jetë edhe më e lartë.
Gjatë një seance dëgjimore për buxhetin në Senat, senatori demokrat Dick Durbin e pyeti Hegsethin nëse pret që shpenzimet të rriten tani që armëpushimi mes SHBA-së dhe Iranit konsiderohet praktikisht i përfunduar.
Në përgjigje, Hegseth sqaroi se një pjesë e shumës prej 37.5 miliardë dollarësh përfshin edhe shpenzime të planifikuara deri në fund të vitit fiskal, siç janë kostot për ushqimin dhe mbështetjen e trupave. Ndërkohë, analiza të pavarura kanë dhënë vlerësime edhe më të larta.
Në mars, ekspertët llogaritën se konflikti po u kushtonte taksapaguesve amerikanë mbi 890 milionë dollarë në ditë, ndërsa në maj Pentagoni e vlerësoi faturën në 29 miliardë dollarë.
Sipas një analize paraprake të Center for Strategic and International Studies (CSIS), kostoja për Departamentin amerikan të Mbrojtjes ka arritur në rreth 40 miliardë dollarë, pa përfshirë disa shpenzime operative që janë mbuluar nga buxheti i përgjithshëm i mbrojtjes për vitin fiskal 2026.
