Rreth kokës, të bashkuara në topuz apo të thurura vetëm në pjesën e përparme – ky model me frymë antike po bëhet zgjedhja më elegante e sezonit Parukierë të njohur së fundmi zbuluan trendet e flokëve për këtë verë, duke vënë theks të veçantë te rikthimi i gërshetave romantike.
Nuk kaloi shumë kohë dhe në Instagram u vu re se gjithnjë e më shumë trendsetere po zgjedhin modele flokësh me dy gërsheta, të cilat duken shumë femërore, lozonjare dhe të buta. Trendin e kanë përqafuar edhe stilistët e flokëve të yjeve të famshëm, të cilët pajtohen se këtë verë gërshetat romantike kanë rolin kryesor.
Ashtu si trendet e modës shpesh lindin nga filmat e suksesshëm – sikurse në verën e vitit 2022, kur të gjithë përqafuam estetikën Barbiecore – këtë vit frymëzimi vjen nga bota e Greqisë dhe Romës së lashtë. Modele të ngjashme kemi parë edhe në filmin “Troja” të vitit 2004, ku gërshetat dhe flokët e lëshuar butësisht ishin pjesë e rëndësishme e pamjes së Helenës së Trojës dhe Andromakës.
Ndërkaq, këtë vit, merita për rritjen e popullaritetit të këtij trendi i takon filmit “Odiseja”, transmeton Telegrafi. Gërsheta rreth kokës, trendi kryesor i verës Meqenëse gratë e shtresave të larta të shoqërisë në periudhën e antikitetit shpesh paraqiteshin me flokë të thurur në gërsheta, këtë verë është veçuar modeli me një gërshetë që rrethon kokën.
Pikërisht një model të tillë zgjodhi Zendaya për premierën e filmit në Paris. E veshur me një fustan Louis Vuitton, Zendaya bashkoi në mënyrë delikate dy nga trendet kryesore të botës së bukurisë: hijen e syve në nuancë të akullt blu dhe gërshetat. Me një ndarje të rregullt në mes, ajo mbante një ose disa gërsheta të bashkuara në një model të ngritur, të butë dhe romantik.
Pamja të kujtonte modelet e flokëve të rreth dy mijë vjetëve më parë, duke i dhënë të gjithë kombinimit një frymë antike që duket veçanërisht bukur gjatë verës. Për premierën në Londër, Zendaya zgjodhi një interpretim më të çlirët të trendit, kësaj here të kombinuar me një fustan Schiaparelli.
Në gërsheta përfshiu vetëm fijet e përparme, ndërsa pjesën tjetër të flokëve e la të binte lirshëm. Rezultati ishte një model i butë, me frymë boho, që dukej i pakomplikuar, por që megjithatë ruante një prekje delikate antike. Kolegia e saj në filmin “Odiseja”, Anne Hathaway, gjithashtu u paraqit në premierën e Nju-Jorkut me një pamje të frymëzuar nga antikiteti.
Ajo bashkoi dy gërsheta në një topuz të lartë, nga i cili binin lirshëm disa fije flokësh, duke treguar edhe një mënyrë tjetër mbresëlënëse për stilimin e flokëve këtë verë. Pak më ndryshe, por ende në frymën e së njëjtës periudhë historike, ishte edhe pamja me të cilën Jennifer Lopez u paraqit së fundmi në sfilatën Dolce & Gabbana Alta Moda 2026 në Sicili.
E veshur me një fustan Dolce & Gabbana të mbuluar me gurë të çmuar, si një interpretim modern i një perëndeshe romake, Lopez zgjodhi gërsheta në formë rrethi, të cilat në pjesën e pasme të kokës bashkoheshin në një topuz elegant.
