Ministria e Infrastrukturës dhe Transporit ka dalë me një sqarim për rrugën në fshatin Bibaj të Ferizajt. Kjo Ministri ka thënë se projekti i rrugës nga ura në qytetin e Ferizajt deri te hyrja e autostradës është realizuar nga Komuna e Ferizajt.
Sipas tyre, kjo Komunë ka hartuar projektin, ka zhvilluar procedurat e prokurimit dhe ka mbikëqyrur realizimin e puimeve derisa Ministria ka ndarë mjetet financiare. “Në projektin e hartuar nga Komuna nuk kanë qenë të parapara rrethrrotullimi në Bibaj, ndriçimi publik përgjatë rrugës, gjelbërimi dhe zgjerimi i rrugës në dalje të autostradës.”- ka thënë MIT në reagimin e saj.
Në këtë reagim thuhet se kjo Ministri ka ftuar Komunën në takim dhe ka kërkuar sqarime por edhe gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme deri në riprojektimin nga Ministria, sipas të cilëve do të adresohen pastaj mangësitë në projektin aktual. “Komuna ka rekomanduar vendosjen e një rrethrrotullimi të përkohshëm, i cili, sipas saj, është testuar paraprakisht edhe përmes simulimit.
Megjithatë, gjendja në terren po tregon se kjo zgjidhje nuk po funksionon siç ishte paraparë dhe po shkakton kolona të gjata.”- thuhet në këtë reagim. Ministria e udhëhequr nga Dimal Basha ka bërë thirrje për Komunën e Ferizajt që të analizojë urgjentisht situatën dhe të ndërmarrë masat e nevojshme për lirmin dhe normalizimin e trafikut.
“Ministria do ta marrë përsipër riprojektimin e këtij segmenti dhe, përmes tij, do t’i adresojë të gjitha problemet dhe mangësitë e evidentuara.”- thuhet në këtë reagim të Ministrisë. Qytetarë nga Ferizaj kanë publikuar pamje të nje rrethrrotulimi të improvizuar përgjatë rrugës për të cilën është bërë ky reagim i Ministrisë.
