Fëmija i cili mbeti i lënduar në aksidentin e rëndë të trafikut në fshatin Shushicë të Istogut, ku humbën jetën dy persona, është pranuar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, për Sinjalin ka bërë të ditur se fëmija ka pësuar lëndime të rënda si pasojë e aksidentit dhe është pranuar me politraumë.
Sipas tij, ekipet mjekësore kanë kryer menjëherë ekzaminimet e nevojshme, ndërsa pacienti aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme në Qendrën Emergjente. Pas stabilizimit të gjendjes, pritet që trajtimi i mëtejmë të vazhdojë në Klinikën e Mjekimit Intensiv.
Aksidenti ndodhi të hënën në fshatin Shushicë të Istogut, ku si pasojë e përplasjes së dy veturave dy persona humbën jetën, ndërsa disa të tjerë mbetën të lënduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
