Shpërndaje në: Platforma kineze e tregtisë online AliExpress është gjobitur me një shumë rekord prej 550 milionë eurosh nga Bashkimi Evropian, për shkak të dështimit në ndalimin e shitjes së produkteve të paligjshme dhe të rrezikshme, përfshirë veshje, kozmetikë dhe pajisje kuzhine.
Komisioni Evropian bëri të ditur se kjo është gjoba më e madhe e shqiptuar deri më tani sipas Aktit për Shërbimet Digjitale (Digital Services Act – DSA), legjislacion që hyri në fuqi në vitin 2024 për të mbrojtur konsumatorët nga produktet e paligjshme dhe praktikat mashtruese ose varëse të marketingut.
Nënkryetarja ekzekutive e Komisionit Evropian për sovranitetin teknologjik, sigurinë dhe demokracinë, Henna Virkkunen, tha se përhapja e veshjeve të falsifikuara, lodrave të pasigurta, produkteve kozmetike të rrezikshme dhe mallrave të tjera të paligjshme nuk është një pasojë e pashmangshme e blerjeve online, por dështim i AliExpressit për të përmbushur detyrimet sipas DSA-së, shkruan The Guardian.
“Shkalla e aktivitetit nuk është justifikim. Rreziqet duhet të identifikohen dhe të adresohen në mënyrë sistematike për të garantuar që konsumatorët të blejnë në mënyrë të sigurt në internet. Sot po e mbajmë AliExpress përgjegjëse për këtë standard dhe kërkojmë që të ndërmarrë veprime”, deklaroi ajo.
Megjithëse gjoba është dukshëm më e lartë se ato të vendosura më parë ndaj Temu (200 milionë euro) dhe platformës X (120 milionë euro), ajo përfaqëson më pak se 1 për qind të të ardhurave vjetore prej 122 miliardë eurosh të kompanisë mëmë të AliExpress, Alibaba. Sipas ligjit, BE-ja mund ta kishte gjobitur kompaninë deri në 6 për qind të të ardhurave të saj globale.
Edhe Tech 7 muaj më parë BE-ja gjobit X-in e Elon Muskut me 120 milionë euro Komisioni Evropian konstatoi se AliExpress nuk kishte personel të mjaftueshëm për të vlerësuar ligjshmërinë e produkteve të listuara në platformë. Në disa raste, punonjësve u jepeshin vetëm “disa dhjetëra sekonda” për të vendosur nëse një produkt përmbushte standardet e Bashkimit Evropian.
Kjo është pjesë e një serie masash të BE-së ndaj platformave të mëdha digjitale. Në muajin maj, Temu u gjobit për mosndalimin e shitjes së produkteve të paligjshme dhe të rrezikshme, ndërsa platforma X u ndëshkua për shkelje që përfshinin sistemin e verifikimit me shenjën blu, të cilin BE-ja e cilësoi si mashtrues, si dhe për mungesë transparence në reklamim.
Temu mbetet ende nën hetim për çështje të tjera dhe mund të përballet me gjoba shtesë.
