Vëllezërit kontroversë të rrjeteve sociale, Andrew dhe Tristan Tate, janë arrestuar në Miami të Shteteve të Bashkuara, pasi autoritetet britanike kanë kërkuar ekstradimin e tyre për akuza të rënda, përfshirë përdhunim, trafikim njerëzor dhe shfrytëzim seksual.
Sipas mediave ndërkombëtare, vëllezërit u ndaluan të shtunën nga Shërbimi i Marshallëve të SHBA-së, bazuar në një urdhër-arrest të vulosur. Arrestimi i tyre e ka futur SHBA-në në qendër të një beteje ligjore ndërkombëtare që përfshin Britaninë e Madhe dhe Rumaninë.
Prokurorët britanikë kanë njoftuar se po kërkojnë ekstradimin e tyre për pretendime se kanë kryer vepra penale ndaj grave në periudhën 2010–2017, përfshirë akuza për përdhunim dhe trafikim për qëllime seksuale, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Arrestimi i mëparshëm në Rumani Andrew dhe Tristan Tate, të cilët kanë shtetësi të dyfishtë amerikane dhe britanike, u zhvendosën në Rumani në vitin 2016. Ata u arrestuan atje në vitin 2022, nën dyshimet për përfshirje në një skemë ku gra dyshohej se joshnin për t’u shfrytëzuar seksualisht. Të dy vëllezërit i kanë mohuar vazhdimisht akuzat.
Rasti në Rumani u ngadalësua për shkak të çështjeve ligjore dhe procedurale, ndërsa vitin e kaluar atyre iu lejua të largoheshin nga vendi dhe udhëtuan drejt Floridës me një avion privat. Ata pritet të dalin para një gjykate federale në Miami në fillim të javës së ardhshme.
Akuza të reja nga Britania Sipas autoriteteve britanike, vëllezërit akuzohen për abuzim ndaj grave në një zonë në veri të Londrës, ku edhe janë rritur. Përveç akuzave të bëra publike në vitin 2025, Prokuroria britanike ka njoftuar se ka ngritur gjithsej 38 akuza të reja që lidhen me katër viktima të tjera.
Andrew Tate përballet gjithashtu me akuza shtesë për shfrytëzim të prostitucionit, si dhe 19 akuza që lidhen me materiale të papërshtatshme me të mitur dhe pornografi ekstreme, sipas autoriteteve britanike. Avokati i tyre, Joseph McBride, i ka cilësuar akuzat e reja si “shpifje” dhe ka thënë se ato synojnë t’i pengojnë vëllezërit të zhvillojnë procese gjyqësore për shpifje në SHBA.
Nga fama në rrjete sociale te polemikat Andrew Tate, 39 vjeç, u bë i njohur për publikun e gjerë në vitin 2016 si pjesëmarrës në spektaklin britanik “Big Brother”. Ai më pas ndërtoi një audiencë të madhe në internet përmes përmbajtjeve që promovonin pasurinë, dominimin mashkullor dhe pikëpamje të kritikuara gjerësisht si misogjene.
Ai ka më shumë se 10 milionë ndjekës në platformën X, por është përjashtuar nga platforma si TikTok, Instagram dhe YouTube për shkelje të rregullave mbi gjuhën e urrejtjes. Vëllezërit Tate kanë mohuar çdo akuzë për abuzim dhe trafikim njerëzor, duke pretenduar se deklaratat e tyre publike janë nxjerrë jashtë kontekstit ose janë bërë si shaka.
Autoritetet britanike kanë theksuar se hetimi vazhdon, ndërsa policia e Bedfordshire ka deklaruar se do të vazhdojë punën për mbështetjen e viktimave dhe hetimin e çdo raportimi për dhunë ndaj grave dhe vajzave. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
