Fushata e korrje-shirjeve në Komunën e Shtimes po zhvillohet sipas planifikimeve, me rendimente që arrijnë deri në 6 mijë kilogramë grurë për hektar. Ndërsa autoritetet dhe fermerët vlerësojnë cilësinë e prodhimit, kostoja e lartë e karburantit mbetet sfida kryesore e këtij sezoni. Fushata e korrje-shirjeve në komunën e Shtimes po zhvillohet me ritëm intensiv.
Autoritetet lokale nënvizojnë se rendimenti i grurit këtë vit është ndër më të lartët e viteve të fundit. Të dhënat e Komisionit Komunal për monitorimin e fushatës vënë në pah se deri më tani janë korrur 279 hektarë me grurë dhe 60 ari me elb. Ndërkohë që procesi po zhvillohet sipas planifikimeve dhe se siguria mbetet prioritet, pritshmëritë në rezultatee e deritanishme mbeten pozitive.
“Falë punës së palodhshme të fermerëve dhe kushteve klimatike të favorshme këtë vit janë shënuar rendimente më të larta dhe cilësia më e mirë e grurit duke kapur shifrat 5000 deri në 6000 kg për hektar.
Që nga dita e themelimit ne si komision jemi në terren duke monitoruar gjendjen dhe fushatën e korrje shirjeve dhe gjithçka ka shkuar mirë, vëmendje e vecantë I është kushtuar masave të sigurisë, zbatimit të tyre dhe deri më tani nuk është shënuar asnjë incident ” thotë Bajram Gashi, kryetar i Komisionit Komunal. Edhe bujqit e zonës konfirmojnë ecurinë e mirë të këtij sezoni.
Skënder Hyseni, tregon se cilësia e lartë e rrit motivimin për punë: “ Këtë vit jemi duke punua me një vullnet më të madh për shkak të rendimenteve të cilat po i marrim, këtu përfshihet edhe cilësia e granit që këtë vit ka një rezultat shumë më të favorshëm se vitin e kaluar”, thotë Skënder Hyseni, fermer dhe autokombajner.
Megjithatë, si sfidë kryesore për bujqit vazhdon të mbetet kostoja e lartë dhe e paqëndrueshme e karburantit: “Të them të drejtën kemi vështirësi, sidomos vlen të ceket puna e naftës, nuk kem ndihma për naftë, dmth nafta ka pas një çmim marramendës këtë vit, ajo për çdo ditë, 3 cent, 5 cent po lëviz ”, shton ai.
Inspektimet në terren dhe në pikat e grumbullimit do të vazhdojnë deri në përfundimin e plotë të fushatës. Komuna e Shtimes u bën thirrje të gjithë fermerëve që të respektojnë rregullat teknike dhe ato të sigurisë për të shmangur çdo rrezik nga zjarret.
