SHBA kryen sulme të reja ndaj Iranit pasi dy ushtarë amerikanë u

0%

Shtetet e Bashkuara njoftuan të dielën se kanë kryer sulme kundër Iranit për natën e tetë radhazi, pasi paraprakisht bënë të ditur se dy pjesëtarë të ushtrisë amerikane u vranë në Jordani dhe një tjetër u zhduk pas një sulmi iranian.

SHBA-ja dhe Irani i kanë shpeshtuar sulmet qëkurse një marrëveshje e armëpushimit të përkohshëm, e nënshkruar një muaj më parë, dështoi javën e kaluar, duke rritur mundësinë e rikthimit në një luftë të plotë. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha në një deklaratë se sulmet ajrore nisën mbrëmjen e së shtunës, me urdhër të presidentit Donald Trump.

“Sulmet synojnë ta dobësojnë më tej aftësinë e Iranit për të kërcënuar transportin tregtar në Ngushticën e Hormuzit dhe t’i ndëshkojnë me shpejtësi forcat e Gardës Revolucionare Islamike që nisën sulmet ndaj ushtarakëve amerikanë në Jordani mbrëmjen e kaluar,” thuhet në deklaratë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Më vonë, CENTCOM njoftoi se vala e sulmeve kishte përfunduar, duke goditur qendra të mbikëqyrjes bregdetare dhe të mbrojtjes ajrore në Iran. Agjencia iraniane e lajmeve, Mehr, raportoi se SHBA-ja kreu një sulm pranë qytetit Sirik, në jug të Iranit, duke shtuar se nuk u raportua për viktima apo dëme në infrastrukturë.

Ndërkohë, agjencia Tasnim tha se ushtria amerikane goditi edhe një objekt pranë Shadeganit, afër kufirit me Irakun. Më pas, ushtria iraniane kreu një sulm me dronë ndaj pajisjeve dhe aseteve ushtarake amerikane në kampin Al-Adiri dhe në Bazën Ajrore Ali Al Salem në Kuvajt, raportoi televizioni shtetëror iranian në orët e para të së dielës, duke cituar një deklaratë të ushtrisë.

Të dyja bazat u goditën si pjesë e sulmeve iraniane kundër aseteve amerikane dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik që nga java e kaluar. CENTCOM tha se dy ushtarët amerikanë u vranë të premten, ndërsa një tjetër u zhduk. Tani, numri i ushtarëve amerikanë të vrarë që nga fillimi i luftës arrin në 16, ndërsa mbi 420 të tjerë janë plagosur.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, shkroi në platformën X: “Sakrifica e tyre vetëm sa e forcon vendosmërinë tonë”. Irani duket se shënjestroi edhe Arabinë Saudite, si dhe aleatë të tjerë të SHBA-së në Gjirin Persik dhe Jordaninë të shtunën, pas sulmeve amerikane ndaj urave dhe objekteve energjetike iraniane.

Irani thotë se memorandumi i mirëkuptimit është “pezulluar” Ndërkohë, zyrtarët iranianë deklaruan se marrëveshja e përkohshme – i ashtuquajturi memorandumi i mirëkuptimit (MOU) midis Uashingtonit dhe Teheranit – është “pezulluar” pas valës së fundit të sulmeve amerikane ndaj Iranit.

“Fatkeqësisht, amerikanët kanë shkelur detyrimet e tyre sipas deklaratës së Islamabadit përmes veprimeve të tyre agresive”, tha zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Gharibabadi, në një intervistë televizive, duke shtuar se Teherani po pezullon zbatimin e zotimeve të veta.

Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baghaei, bëri deklarata të ngjashme, duke thënë se memorandumi i mirëkuptimit “është pezulluar në mënyrë efektive”. Memorandumi i mirëkuptimit synonte t’u jepte palëve 60 ditë kohë për të nënshkruar një marrëveshje të përhershme për përfundimin e luftës.

Megjithatë, armiqësitë – edhe pse jo një luftë e plotë – janë rindezur për shkak të veprimeve ushtarake të Iranit në Ngushticën e Hormuzit. Një nga pikat kryesore të memorandumit ishte kërkesa e SHBA-së për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës para luftës kalonte një pjesë e madhe e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz, por që Irani e kishte bllokuar në praktikë.

Qarkullimi i anijeve në këtë rrugë ujore ka qenë i paqëndrueshëm dhe është ndërprerë pothuajse sërish pas sulmeve të fundit iraniane ndaj anijeve për të cilat Teherani pretendon se nuk kishin marrë leje për të kaluar. Kjo çoi në valën më të fundit të sulmeve amerikane ndaj objekteve bregdetare iraniane, urave, tuneleve dhe stacioneve hekurudhore në jug të vendit.

Uashingtoni ngul këmbë se përpjekja e Iranit për ta kontrolluar Ngushticën përbën shkelje të memorandumit të mirëkuptimit. CENTCOM dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se qëllimi i sulmeve është të dobësohet aftësia e Teheranit për të goditur anijet që kalojnë në këtë ngushticë.

Deklaratë e shkruar e udhëheqësit suprem Në anën tjetër, një deklaratë që i atribuohet udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, të dielën, akuzoi SHBA-në për shkelje të përsëritura të memorandumit të mirëkuptimit.

“Tani që armiku amerikan kërkon të nxisë luftën dhe të përballet me pasojat e saj më të rënda, ai duhet ta dijë se kombi i dashur iranian dhe boshti i rezistencës kanë mësime të paharrueshme për t’i dhënë”, thuhet në deklaratën e lexuar nga televizioni shtetëror iranian të dielën.

Khamenei nuk është shfaqur në publik që nga 28 shkurti, kur babai i tij – udhëheqësi i mëparshëm suprem – u vra në sulme ajrore amerikano-izraelite. Thuhet se Khamenei, 56-vjeçar, u plagos rëndë gjatë atij sulmi, duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen e tij shëndetësore dhe aftësinë për të ushtruar detyrën si udhëheqës suprem.

Që nga 28 shkurti nuk ka pasur asnjë regjistrim të njohur audio apo video të Mojtaba Khameneit. Ai nuk u pa as gjatë gjashtë ditëve të ceremonive dhe tubimeve mortore për babanë e tij në fillim të korrikut.

Ekspertët kanë thënë se mungesa e tij në ceremonitë mortore i ka dhënë një goditje të mëtejshme legjitimitetit të Khameneit dhe ka shtuar pikëpyetjet mbi atë se kush e drejton në të vërtetë vendin e Lindjes së Mesme me rreth 90 milionë banorë. Sipas autoriteteve iraniane, ai nuk mori pjesë në funeralin e të atit për arsye sigurie/ RadioEvropaeLirë /.

Burimi: Kallxo