Në prag të finales së madhe të Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës, kp realizoi një anketë me qytetarë në sheshin e Prishtinës për të mësuar parashikimet e tyre rreth sfidës që pritet të kurorëzojë kampionin e ri të botës. Shumica e shohin Spanjën si favorite, ndonëse besojnë se finalja do të jetë e luftuar deri në fund.
Qytetari nga Arabia, Muhaned, u shpreh i bindur se Spanja do të triumfojë në finale, duke parashikuar edhe një paraqitje të shkëlqyer të Lamine Yamalit. “Spanja fiton. Lamine Yamal do të shënojë dy gola.” I riu Bled Duka parashikoi një finale me shumë gola, duke vlerësuar se Yamal do të jetë vendimtar për spanjollët.
Bled Duka: “Spanja fiton 3:2, por Messi do të shënojë” “Mendoj se do të fitojë Spanja me rezultat 3:2. Për Spanjën do të shënojë Lamine Yamal, ndërsa për Argjentinën do të realizojë Messi. Besoj se Yamal, për momentin, është më i fortë se Messi.” Edhe qytetari Rrahmani e sheh Spanjën më pranë triumfit, megjithëse shprehu dëshirën që Messi ta mbyllë karrierën me një tjetër trofe botëror.
Rrahmani: “Spanja është më e lidhur si ekip” “Mendoj se Spanja ka më shumë gjasa për të fituar, edhe pse Argjentina është shumë e fortë. Spanja i ka lojtarët më të lidhur si ekip.
Sigurisht, dëshira është që të fitojë Messi, pasi është në fund të karrierës, por besoj se sonte do të fitojë Spanja.” Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës pritet të mbledhë vëmendjen e miliona tifozëve në mbarë botën, ndërsa edhe qytetarët e Prishtinës presin një spektakël futbollistik dhe një duel mes dy prej kombëtareve më të forta të turneut.
