“36 vite pa investim”/ Banorët e Malbardhës dalin në protestë për

0%

Mungesa e investimeve në infrastrukturë ka nxjerrë në protestë banorët e fshatit Malbardhë në Kurbin, të cilët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme për rikonstruksionin e rrugës që lidh zonën e tyre me aksin kryesor.

Segmenti prej rreth 1.3 kilometrash, sipas banorëve, prej më shumë se tre dekadash ndodhet në gjendje të amortizuar dhe ka vështirësuar lëvizjen e përditshme për familjet e zonës. Banorët thonë se rruga nuk ka njohur investime prej rreth 36 vitesh dhe gjatë periudhës së reshjeve kthehet në një problem serioz për qarkullimin.

Sipas tyre, rreth 200 familje që jetojnë në pjesën e poshtme të fshatit përballen çdo ditë me vështirësi për të shkuar në punë, shkollë apo për të marrë shërbimet bazë. “Është premtuar disa herë që do të shtrohet me asfalt, por deri tani nuk është bërë asgjë. Në dimër bëhet e pakalueshme” , u shpreh një banor.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Një tjetër banor u shpreh se mungesa e ndërhyrjeve ka ndikuar drejtpërdrejt në jetën e komunitetit. “Ka 36 vjet që kjo rrugë është kështu. Na e vështirëson shumë jetën”, tha ai. Në mbështetje të protestës ishin edhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të opozitës, Albert Ndoci dhe Sefedin Lika, të cilët ngritën shqetësime për mënyrën e shpërndarjes së investimeve në zonat rurale të Kurbinit.

Nga ana tjetër, Bashkia Kurbin ka bërë me dije se rikonstruksioni i këtij segmenti është përfshirë në buxhetin e këtij viti dhe punimet pritet të nisin së shpejti. Banorët kërkojnë që premtimi për ndërhyrje të mos mbetet vetëm në letër, por rruga të rikonstruktohet pas dekadash pritjeje.

Burimi: Bota Sot