Kylian Mbappe mund ta përfundojë Kupën e Botës 2026 pa asnjë medalje, pasi Franca u mposht nga Anglia me rezultatin spektakolar 6-4 në ndeshjen për vendin e tretë. Megjithatë, sulmuesi francez mbetet favorit për të fituar një nga çmimet më prestigjioze individuale të turneut, Këpucën e Artë.
Ylli i Francës kryeson aktualisht renditjen e golashënuesve me 10 gola, ndërsa Lionel Messi e ndjek me tetë gola, teksa Argjentina ka ende për të zhvilluar finalen ndaj Spanjës. Nëse kapiteni argjentinas shënon dy herë në finalen e madhe, të dy futbollistët do ta mbyllnin turneun me nga 10 gola secili.
Në një situatë të tillë, FIFA aplikon një sërë kriteresh për të përcaktuar fituesin e vetëm të çmimit. Kriteri i parë pas numrit të golave janë asistimet. Por edhe në këtë aspekt, Messi dhe Mbappe janë në baraspeshë, pasi të dy kanë regjistruar nga katër asistime. Nëse edhe ky kriter nuk bën diferencën, atëherë vendimtare bëhen minutat e luajtura.
Çmimi i jepet futbollistit që ka arritur të shënojë dhe të asistojë në më pak minuta. Aktualisht, Mbappe ka zhvilluar 699 minuta, ndërsa Messi ka luajtur 620 minuta. Në rast se Messi luan të gjithë finalen ndaj Spanjës (90 minuta) dhe realizon dy gola, ai do ta mbyllte turneun me 710 minuta në fushë.
Kjo do të thotë se, pavarësisht se do të barazohej me Mbappen në gola dhe asistime, Këpuca e Artë do t’i takonte sulmuesit francez, pasi ai do ta kishte arritur të njëjtin kontribut ofensiv në më pak minuta të luajtura.
