Botërori 2026 mbylli siparin. Një turne historik, i karakterizuar nga rekordet, risitë dhe ndryshimet, zhvilluar nën dritat e mëdha të Amerikës së Veriut. Por mbi të gjitha, një Kupë Bote me vulën e Shteteve të Bashkuara, ku futbolli u ndërthur me spektaklin, teknologjinë dhe skenën politike.
Emocionet e këtij Botërori mbërritën te miliona tifozë shqiptarë edhe përmes Televizionit Kombëtar Klan, që solli për publikun atmosferën, ndeshjet dhe historitë e kompeticionit më të madh të futbollit botëror, me një mbulim të plotë nga zemra e turneut. Ky ishte Botërori i shifrave rekord: mbi 6.8 milionë spektatorë në stadiume dhe një përqindje mbushjeje prej 99 për qind të kapaciteteve.
Një turne i futbollit spektakolar, por edhe i risive të shumta: Botërori i Gianni Infantinos, i pranisë së Donald Trump në qendër të vëmendjes, i debateve për pushimet e hidratimit dhe i teknologjisë së re në fushë.
Topi inteligjent solli momente të diskutueshme, duke zbuluar në një rast një prekje të kontestuar në flokët e një futbollisti kroat, ndërsa në një tjetër episod nuk arriti të japë sinjalin e pritshëm.
Një tjetër risi ishte lufta kundër humbjes së kohës, me masa të reja disiplinore dhe kartonë të kuq për sjellje të caktuara gjatë komunikimit në fushë, ndërsa tribunat u shoqëruan nga koreografi gjigante dhe një atmosferë spektakolare. Por mbi të gjitha, ky ishte Botërori i parë me 48 skuadra dhe, me shumë gjasa, i fundit me këtë format.
FIFA po shqyrton mundësinë e zgjerimit në 64 përfaqësuese për edicionet e ardhshme. Një formulë që do të ndryshonte sistemin e kualifikimit, duke eliminuar kalimin e skuadrave të treta më të mira dhe duke dërguar direkt dy ekipet e para të çdo grupi në fazën me eliminim. Eksperimenti me 48 skuadra u konsiderua një sukses.
Kombëtare që nuk kishin marrë pjesë më parë në një Botëror debutuan me paraqitje dinjitoze dhe treguan se zgjerimi i skenës globale mund të sjellë histori të reja.
Pavarësisht polemikave të zakonshme për arbitrimin dhe pranisë së vazhdueshme të Donald Trump, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino arriti të organizojë një Botëror që bashkoi spektaklin me futbollin, duke shënuar një kapitull të ri për kompeticionin më të madh sportiv në botë.
Tani vëmendja zhvendoset drejt vitit 2030, Botërorit të 100-vjetorit, me Spanjën, Portugalinë dhe Marokun si organizatorë dhe me një prolog historik në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai.
