Finalja e madhe e Kupës së Botës mes Spanjës dhe Argjentinës premton spektakël, me dy nga përfaqësueset më të mira të turneut që do të luftojnë për trofeun më të çmuar në futboll.
Në prag të finales, FIFA ka publikuar një përmbledhje me statistikat më interesante të turneut, ku spikasin emra si Rodri, Lionel Messi, Lamine Yamal dhe Unai Simon. 648 – Rodri, mbreti i pasimeve Mesfushori i Spanjës, Rodri, ka kompletuar plot 648 pasime në këtë Kupë Bote, më shumë se çdo futbollist tjetër në historinë e turneut. 30-vjeçari ka thyer rekordin e tij prej 638 pasimesh, të vendosur në Katar 2022.
Më herët ai kishte kaluar edhe rekordin legjendar të Xavit, i cili kishte realizuar 599 pasime të sakta në Botërorin e vitit 2010. 37 – Spanja barazon rekordin historik Spanja mbërrin në finale me 37 ndeshje radhazi pa humbje, duke barazuar rekordin historik të Italisë dhe Argjentinës.
Që nga humbja 1-0 ndaj Kolumbisë në mars të vitit 2024, “La Roja” ka regjistruar 27 fitore dhe 10 barazime. 30 – Lamine Yamal dominon në driblime Ylli i ri spanjoll, Lamine Yamal, është futbollisti me më së shumti driblime të suksesshme në këtë Botëror, plot 30.
Pas tij renditen: Kylian Mbappe – 24 Vinicius Junior – 23 Lionel Messi – 22 Jeremy Doku – 21 Rekordi absolut i një edicioni mbahet ende nga Diego Maradona, me 53 driblime në Botërorin “Meksika 1986”, ndërsa Messi kishte regjistruar 46 në Brazil 2014. 19 – Argjentina me sulmin më të frikshëm Argjentina ka realizuar 19 gola në shtatë ndeshje, me një mesatare prej 2.71 golash për takim.
Rekordi historik i një edicioni mbahet nga Hungaria, që kishte shënuar 27 gola në Kupën e Botës 1958. Ndërkohë, Spanja ka realizuar 13 gola, duke kaluar rekordin e saj të mëparshëm prej 11 golash në Botërorin 1986 dhe pesë më shumë sesa kur fitoi titullin në vitin 2010. 13 – Seria e jashtëzakonshme e Argjentinës “Albicelestët” kanë shënuar të paktën dy gola në 13 ndeshje radhazi, rekord absolut në historinë e Kupës së Botës.
Herën e fundit që nuk arritën të realizonin dy gola ishte humbja 2-1 ndaj Arabisë Saudite në ndeshjen hapëse të Katarit 2022. Gjithashtu, Argjentina ka gjetur rrugën e rrjetës në 16 ndeshjet e fundit të Botërorit. 8 – Messi synon historinë Lionel Messi ka shënuar tetë gola në këtë edicion të Kupës së Botës.
Rekordi për më shumë gola në një Botëror i përket francezit Just Fontaine, i cili realizoi 13 gola në vitin 1958. 7 – Argjentina me ecuri perfekte Argjentina ka fituar të shtatë ndeshjet e zhvilluara deri tani.
Nëse fiton edhe finalen, Lionel Scaloni do të bëhet vetëm trajneri i pestë në histori që fiton Kupën e Botës me 100 për qind fitore (8 nga 8), duke iu bashkuar Uruguait (1930), Italisë (1938) dhe Brazilit (1970 dhe 2002). 6 – Muri i quajtur Unai Simon Portieri i Spanjës, Unai Simon, ka mbajtur portën të paprekur në gjashtë nga shtatë ndeshje, një rekord i ri në historinë e Kupës së Botës.
Nëse Spanja shpallet kampione, mund të vendosë edhe një rekord tjetër, pasi deri tani ka pësuar vetëm një gol. Kampionët e mëparshëm me mbrojtjen më të mirë – Franca (1998), Italia (2006) dhe Spanja (2010) – kishin pësuar nga dy gola. 5 – Argjentina godet edhe nga distanca Argjentinasit kanë realizuar pesë gola nga jashtë zonës, më shumë se çdo skuadër tjetër në turne.
Dy prej tyre i ka shënuar Lionel Messi, ndërsa nga një gol kanë realizuar Giovani Lo Celso, Julian Alvarez dhe Enzo Fernandez. 5 – Oyarzabal në elitën e Spanjës Mikel Oyarzabal ka realizuar pesë gola në këtë Botëror, duke barazuar rekordin spanjoll për më shumë gola në një edicion.
Më parë këtë shifër e kishin arritur Emilio Butragueno në “Meksika 1986” dhe David Villa në “Afrika e Jugut 2010”. 4 – Messi, edhe asistuesi kryesor Përveç tetë golave, Lionel Messi ka regjistruar edhe katër asistime në këtë Kupë Bote. Ai është vetëm një asistim larg liderit të kësaj statistike, Michael Olise të Francës, i cili ka pesë.
Te Spanja, liderë për asistime janë Marc Cucurella dhe Dani Olmo, me nga dy secili. Finalja mes Spanjës dhe Argjentinës do të vendosë jo vetëm kampionin e ri të botës, por mund të sjellë edhe rekorde të reja historike për disa nga protagonistët më të mëdhenj të këtij turneu.
