Festimet për triumfin e Spanjës në Kupën e Botës 2026 janë kthyer në një ngjarje tragjike. Një 13-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa tre persona të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë pas shembjes së pjesshme të një shatërvani në qytetin Ciudad Rodrigo, në provincën e Salamankës. Ngjarja ka ndodhur gjatë festimeve pas fitores së Spanjës ndaj Argjentinës në finalen e Botërorit.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, një numër i madh tifozësh ishin mbledhur në brendësi të shatërvanit të njohur si “Glorieta del Árbol Gordo” për të festuar suksesin e kombëtares. Pesha e personave që ishin ngjitur mbi strukturë ka shkaktuar shembjen e një pjese të saj. Një gur i madh është shkëputur dhe ka goditur fatalisht 13-vjeçarin.
Alarmi është dhënë rreth orës , kur shërbimi i emergjencës 112 në Castilla y León ka marrë telefonata për shembjen e strukturës mbi turmën e tifozëve. Në vendngjarje mbërritën menjëherë policia lokale, Garda Civile, zjarrfikësit dhe ekipet mjekësore të emergjencës.
Dy prej të plagosurve u transportuan për ndihmë mjekësore, por njëri prej tyre nuk mundi të mbijetojë dhe ndërroi jetë në spital. Autoritetet nuk kanë bërë ende publike identitetet e personave të përfshirë. Bashkia e Ciudad Rodrigo ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës dhe ka shpallur ditë zie në qytet.
“Ajo që duhej të ishte një festë për fitoren e Spanjës në Kupën e Botës është kthyer në një tragjedi për të gjithë komunitetin”, thuhet në reagimin zyrtar të autoriteteve lokale. Flamujt e bashkisë do të ulen në gjysmështizë nga data 20 deri më 22 korrik, në nderim të 13-vjeçarit që humbi jetën gjatë festimeve të titullit botëror.
