Një konflikt mes një të riu dhe pronarit të një lokali në Kllokot ka përfunduar me lëndime trupore, ndërsa rasti tashmë është nën hetim, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Zoran Krcmareviq, rreth 63-vjeçar, ndërsa viktimë L.E., rreth 18-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 15 korrikut, rreth orës , para një lokali në fshatin Mogillë të Kllokotit. I dyshuari ka deklaruar para Policisë se fillimisht mes tij dhe 18-vjeçarit kishte pasur një debat verbal, ndërsa më pas i riu dyshohet se ishte afruar drejt tij me një thikë në dorë.
Në këto rrethana, ai pretendon se kishte marrë një shufër metalike dhe e kishte goditur një herë në dorë për t’u mbrojtur. Nga ana tjetër, L.E ka deklaruar se ai dhe një shok i tij po qëndronin në shkallët para lokalit dhe po bisedonin me zë të lartë në telefon, kur pronari i lokalit kishte dalë dhe e kishte goditur me shufër metalike, duke i shkaktuar lëndime.
Pas incidentit, 18-vjeçari është dërguar fillimisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Viti, e më pas në Spitalin Rajonal të Gjilanit, ku ka marrë trajtim mjekësor dhe është liruar për shërim në shtëpi. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor” dhe i është kaluar Njësisë së Hetimeve për veprime të mëtejshme.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
