Një 20-vjeçar ka përfunduar nën hetim pasi dyshohet se kishte organizuar qitje me armë zjarri në një kodër në lagjen Sofali të Prishtinës, ku kishte vendosur edhe një shishe uji si shënjestër, raporton Sinjali. Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Aldon Latifi rreth 20-vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit , Policia ka pranuar më 17 korrik, rreth orës , një njoftim se në lagjen Sofali ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri, ndërsa një qytetar kishte hasur disa gëzhoja. Patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka gjetur pesë gëzhoja, prej tyre tre të shkrepura dhe dy fishekë të pashkrepur.
Teksa po siguronte perimetrin në pritje të hetuesve dhe forenzikës, Policia ka dëgjuar sërish disa të shtëna që vinin nga ana tjetër e kodrinës. Duke ndjekur zhurmën, zyrtarët policorë kanë hasur rreth 20 metra larg një person me armë zjarri në dorë.
Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar një pistoletë “Zastava”, 34 fishekë të kalibrit 7.65 mm dhe 9 gëzhoja, të cilat dyshohet se i përkasin të njëjtës armë. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari kishte vendosur një shishe uji në tokë dhe po qëllonte në drejtim të saj, duke e përdorur si shënjestër. Sipas Policisë, vendi ku ndodhi ngjarja ishte një hapësirë e pabanuar.
Pas intervistimit të të dyshuarit dhe dëshmitares, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit për veprat penale “Përdorimi i armës së zjarrit apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
