Një 14-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia Kantonale e Aargaut në Zvicër, nën dyshimin për përfshirje në një rast të tentativës për vjedhje me thyerje në një banesë.
Sipas njoftimit të Policisë Kantonale të Aargaut, ngjarja ka ndodhur pak pas orës të mëngjesit të së shtunës, kur një banor njoftoi autoritetet se kishte vërejtur një person të panjohur brenda një dhome të shtëpisë së tij. I dyshuari më pas u largua me shpejtësi në drejtim të Altenburgut.
Pas marrjes së njoftimit, disa patrulla të Policisë Rajonale Wettingen-Limmattal dhe Policisë Kantonale të Aargaut u angazhuan në terren, duke nisur një operacion kërkimi për identifikimin dhe kapjen e të dyshuarit. Gjatë kontrollit në zonë, një patrullë e Policisë Kantonale të Aargaut gjeti një person të fshehur në shkurre përgjatë rrugës Etzelstrasse.
Ai u ndalua dhe iu nënshtrua kontrollit policor. “Personi i ndaluar rezultoi të ishte një 14-vjeçar nga Kosova. Policia Kantonale e Aargaut e arrestoi përkohësisht nën dyshimin për përfshirje në këtë rast. Hetimet do të përcaktojnë nëse i mituri është përgjegjës për tentativën e vjedhjes me thyerje në banesë” , thuhet në njoftimin e Policisë Kantonale të Aargaut.
Autoritetet zvicerane kanë bërë të ditur se hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
