Argjentina dhe Spanja do të përballen këtë të diel, më 19 korrik, në finalen e Kupës së Botës 2026, një përballje e parë në histori në këtë fazë të kompeticionit. Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin ‘MetLife” dhe do të përcaktojë kampionen e re të botës.
“Kombëtarja e drejtuar nga Lionel Scaloni kërkon yllin e saj të katërt pas triumfit në Katar 2022, ndërsa Spanja synon të rikthehet te lavdia e fituar në Afrikën e Jugut në vitin 2010. Lionel Messi, në moshën 39-vjeçare, ndodhet përballë një tjetër mundësie për të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit botëror. Në çfarë ore luhet finalja e Botërorit 2026?
Finalja mes Argjentinës dhe Spanjës do të zhvillohet të dielën, më 19 korrik, në orën: 21.00. Stadiumi pritës do të jetë “MetLife” në New Yers, një nga arenat kryesore të turneut, që pritet të jetë i mbushur plot për një finale me audiencë rekord botërore. Spanja ka ndërtuar rrugëtimin drejt finales mbi një mbrojtje jashtëzakonisht të fortë.
Që nga faza me eliminim direkt, skuadra spanjolle eliminoi Austrinë, më pas Portugalinë, Belgjikën dhe Francën në gjysmëfinale. Gjatë gjithë Botërorit, Spanja ka pësuar vetëm një gol, një statistikë që tregon organizimin dhe disiplinën e madhe të skuadrës së Luis de la Fuente.
Përpara fazës së eliminimit direkt, Spanja kishte treguar forcë edhe ndaj Uruguait dhe Arabisë Saudite, duke ruajtur filozofinë e saj të kontrollit të lojës dhe posedimit të topit. Argjentina ka ndërtuar identitetin e saj mbi karakterin dhe aftësinë për të vendosur ndeshjet në momentet më të rëndësishme.
Pas kalimit të fazës së 1/16-ës ndaj Kepit të Gjelbër, kampionët në fuqi eliminuan Egjiptin, Zvicrën dhe Anglinë. Një element i veçantë i rrugëtimit të argjentinasve ka qenë forca në fund të ndeshjeve, pasi shumë prej golave vendimtarë kanë ardhur në minutat e fundit. Finalja do të ketë një protagonist të padiskutueshëm: Lionel Messi.
Kapiteni argjentinas mund të vazhdojë të zgjerojë legjendën e tij në Kupat e Botës. Ai mund: të bëhet golashënuesi më i mirë i këtij Botërori; të afrohet me rekordin absolut të golave në historinë e Botërorit; të barazojë rekordin e tri finaleve të luajtura, një shifër e arritur më parë nga Cafú; të bëhet lojtari i parë që udhëheq kombëtaren e tij në tri finale të Botërorit; në rast triumfi, të bëhet kapiteni i parë që ngre dy Kupa të Botës.
Me moshën 39 vjeç e 25 ditë, Messi mund të bëhet edhe lojtari më i vjetër i fushës që luan një finale të Botërorit”, ka shkruar media argjentinase “Canal 26”. Historia e dy kombëtareve në finale Argjentina luan finalen e saj të shtatë të Kupës së Botës. Ajo është shpallur kampione në: 1978 ndaj Holandës; 1986 ndaj Gjermanisë; 2022 ndaj Francës.
Ndërsa ka humbur finalet në vitet: 1930 ndaj Uruguait; 1990 ndaj Gjermanisë; 2014 ndaj Gjermanisë. Spanja ka një histori më të shkurtër në finale. E vetmja paraqitje e saj ishte në vitin 2010, kur mposhti Holandën 1-0 pas vazhdimeve me golin e famshëm të Andrés Iniesta.
Tani, pas 16 vitesh, Spanja kërkon një tjetër kurorë botërore, ndërsa Argjentina synon yllin e katërt dhe një tjetër moment historik me Lionel Messin në qendër.
