Shpërndaje në: Kosova ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dënojë publikisht deklarimin e fundit fashist të ministres serbe, Snezhana Paunoviq, dhe që kjo çështje të ngrihet edhe në diskutimet për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Glauk Konjufca, në një letër drejtuar përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka bërë të ditur tri kërkesa që Kosova ka nga BE-ja pas deklaratës së Paunoviqit se po të ishte në vend të Millosheviqit do të bënte spastrim etnik të Kosovës.
Në letrën e publikuar në X, Konjufca ka shkruar se Kosova kërkon që BE-ja të dënojë qartë dhe fuqishëm deklaratën e Paunoviqit, që t’ia kujtojë Serbisë se deklarata të tilla bien ndesh me vlerat evropiane dhe që kjo çështje të ngrihet në dialogun për anëtarësimin e Serbisë në BE.
Tri kërkesat e Kosovës për BE-në: Të lëshohet një dënim i qartë, i fuqishëm dhe publik i deklaratës së ministres Paunoviq dhe retorikës revizioniste që ajo përfaqëson. T’ua rikujtojë zyrtarisht autoriteteve serbe se deklarata të tilla janë të papranueshme dhe jo në pajtim me vlerat evropiane dhe me kërkesat për procesin e pranimit në BE.
Të ngrejë këtë çështje në mënyrë të duhur në kuadër të dialogut politik BE-Serbi dhe procesit të anëtarësimit, në mënyrë që Beogradi ta kuptojë seriozitetin me të cilin Bashkimi Evropian i trajton incidente të tilla. Konjufca në këtë letër ka thënë se Kosova është e shqetësuar me reagimin e deritashëm të BE-së. “Një deklaratë e tillë nga një ministre në detyrë s’mund të trajtohet si gafë.
E gjithë intervista ishte e mbushur me përmbajtje thellësisht revizioniste dhe armiqësore, duke pasqyruar një model më të gjerë deklaratash që vazhdojnë ta minojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga BE-ja, si dhe ta gërryejnë besimin në këtë proces”, ka shkruar Konjufca në letrën e tij.
