“Retorika shoviniste serbe nuk ka vdekur”, Analistët: BE-ja duhet të

0%

Pavarësisht reagimeve nga Bashkimi Evropian ndaj deklaratave të ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, ajo ka vijuar të mbajë të njëjtin qëndrim, duke mos u distancuar nga deklaratat që kanë shkaktuar reagime të shumta.

Paunoviq ka vazhduar polemikat lidhur me komentet e saj për Kosovën, duke refuzuar të tërhiqet nga deklarata se, sikur të ishte në vend të ish-presidentit serb Slobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “pastruar etnikisht Kosovën”.

Ajo, në vend të një kërkimfaljeje, ka drejtuar akuza ndaj kritikëve të saj, duke i cilësuar si persona me “urrejtje ndaj Kosovës” dhe “tradhti të brendshme”. Në një postim në Instagram, ministrja serbe ka bërë edhe një deklaratë tjetër kundër shqiptarëve të Kosovës, duke thënë se do t’i “kthente në vendin e tyre të lindjes, Shqipëri”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Nuk do të vrisja kurrë asnjërin prej jush, thjesht do t’ju ktheja në vendin tuaj të lindjes, Shqipëri. Mendoj se ata do t’ju pranonin”, ka shkruar Paunoviq. Ndërkohë, në mbrojtje të saj ka dalë zëvendëskryeministri dhe ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiq, i cili i ka cilësuar kritikat ndaj ministres si “të turpshme dhe hipokrite”.

Daçiq ka pretenduar se ata që e akuzojnë Paunoviqin për nxitje të spastrimit etnik kanë heshtur për, siç është shprehur ai, “spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”, duke përmendur largimin e serbëve nga vendi.

Lidhur me këtë, analistët vlerësojnë se deklaratat e fundit nga përfaqësues të lartë të politikës serbe tregojnë se retorika nacionaliste dhe qasjet e lidhura me të kaluarën e viteve ’90 vazhdojnë të jenë të pranishme në Serbi, duke përbërë një shqetësim për stabilitetin në Ballkan.

Analistët theksojnë se reagimet diplomatike nuk janë të mjaftueshme dhe se Bashkimi Evropian duhet të ndërmarrë masa konkrete ndaj Beogradit, duke kushtëzuar mbështetjen dhe proceset integruese me respektimin e vlerave evropiane dhe distancimin nga retorika që justifikon krimet e së kaluarës.

Sipas tyre, Kosova dhe shqiptarët duhet të mbeten të bashkuar dhe vigjilentë, ndërsa komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë më i qartë në përballjen me çdo përpjekje për ringjalljen e ideologjive nacionaliste që kanë sjellë konflikte në rajon.

Tahiraj: Elaboratet serbe nuk kanë pushuar kurrë, shqiptarët duhet të mbeten të bashkuar dhe vigjilentë Veprimtari, Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot” ka deklaruar se politika shoviniste serbe ka ndjekur për më shumë se një shekull një vijë të pandërprerë të hartimit dhe zbatimit të elaborateve kundër shqiptarëve.

Saim Tahiraj Tahiraj ka theksuar se historia dëshmon se spastrimet etnike dhe krimet ndaj shqiptarëve nuk kanë qenë ngjarje të izoluara, por pjesë e një politike të vazhdueshme. “Elaboratet serbe nuk pushuan asnjëherë së hartuari dhe së zbatuari. Pastrimet etnike dhe krimet masive ndaj shqiptarëve nuk u ndalën kurrë.

Nga dëbimet e shqiptarëve nga Toplica e gjerë e deri te lufta e fundit në Kosovë, politika shoviniste serbe kreu një varg fushatash të dhunshme që lanë pasoja të rënda për popullin shqiptar. Për më shumë se një shekull, shqiptarët u përballën me terror, masakra, spastrim etnik dhe krime të rënda, të cilat synonin dobësimin dhe zhdukjen e tyre nga trojet e veta në Gadishullin Ilirik.

Këto synime u provuan disa herë, por nuk arritën kurrë të realizoheshin, edhe pse Serbia gëzonte mbështetjen e Rusisë dhe të disa aleatëve të saj tradicionalë në Evropë. Populli shqiptar qëndroi i pamposhtur gjatë gjithë historisë. Edhe kur mbeti i vetmuar, ai qëndroi stoikisht, duke paguar një çmim shumë të lartë për lirinë dhe mbijetesën e tij”, ka thënë Tahiraj.

Sipas tij, edhe sot vazhdojnë të dëgjohen deklarata me përmbajtje shoviniste nga përfaqësues të politikës serbe, gjë që, sipas tij, tregon se kjo retorikë nuk ka marrë fund. “Fatkeqësisht, retorika shoviniste ndaj shqiptarëve nuk është zhdukur. Prandaj, deklarata të tilla nga përfaqësues të politikës serbe nuk janë as të parat dhe, me gjasë, as të fundit.

Ato nuk duhet të na habisin, por të na kujtojnë se duhet të mbetemi të bashkuar dhe vigjilentë. Pavarësisht deklaratave dhe provokimeve, shqiptarët po ecin përpara. Sot kemi dy shtete shqiptare që po forcohen dita-ditës, si dhe një mërgatë të fuqishme në mbarë botën, e cila është gjithmonë e gatshme të ndihmojë vendin e vet në çdo mënyrë.

Le të vazhdojnë të flasin sa të duan shovinistët serbë; kjo nuk e ndal rrugëtimin tonë. Ëndrra e tyre për spastrimin etnik të shqiptarëve ka dështuar njëherë e përgjithmonë. Shekulli XXI duhet të jetë shekulli i zhvillimit, i suksesit dhe i afirmimit të shqiptarëve.

Pikërisht këto suksese janë ato që nuk mund t’i përballojë shovinizmi serb, prandaj reagimet e tilla nuk janë të rastësishme. ‘Qentë le të lehin sa të duan; karvani i sukseseve shqiptare vazhdon të ecë fuqishëm përpara’”, ka përmbyllur Tahiraj për “Bota sot” Gashi: Deklarata e ministres serbe është alarm për Ballkanin, BE-ja duhet të kalojë nga fjalët te veprimet Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Eduard Gashi, për “Bota sot” ka vlerësuar se deklarata e ministres serbe përbën një sinjal serioz për rajonin dhe dëshmon se ideologjia nacionaliste në Serbi vazhdon të jetë e pranishme.

Eduard Gashi Gashi është shprehur se vendimi i institucioneve të Kosovës për ta shpallur Paunoviqin persona non grata dhe mbështetja publike që ajo mori nga lideri i Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Daçiq, tregojnë se retorika e viteve të Millosheviqit nuk është zhdukur.

“Deklarata skandaloze e ministres serbe për Administratë Publike, Snezhana Paunoviq, ku pohoi se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit do të kryente “spastrim etnik në Kosovë në vitin 1998”, ka ndezur një alarm të ri në Ballkan.

Vendimi i menjëhershëm i Prishtinës për ta shpallur atë persona non grata të përhershme dhe mbrojtja që i bëri Ivica Daçiq, tregojnë se rrymat e vjetra nacionaliste në Beograd nuk janë shuar kurrë — ato thjesht ishin fshehur nën kostumin e diplomacisë pragmatike.

Kur një ministre e kabinetit qeveritar deklaron publikisht se nuk pendohet për promovimin e spastrimit etnik dhe e cilëson këtë si “pjesë të strategjisë” së Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ne nuk kemi të bëjmë më me një gafë individuale.

Mbështetja e hapur e zëvendëskryeministrit dhe liderit të SPS-së, Ivica Daçiq, për Paunoviqin konfirmon një të vërtetë të hidhur: trashëgimia ideologjike e Millosheviqit mbetet shtyllë aktive e politikës serbe.

Daçiq, i cili dikur shërbente si zëdhënës i Millosheviqit, përdor këtë retorikë jo vetëm për të kënaqur elektoratin e tij të djathtë, por edhe për të testuar kufijtë e durimit të Perëndimit.

Kjo mbështetje institucionale dëshmon se glorifikimi i krimeve të luftës dhe rishikimi i historisë janë pjesë e një politike të mirëorganizuar shtetërore, e cila bashkëjeton pa problem brenda koalicionit qeverisës në Beograd”, ka deklaruar ai.

Gjithashtu, Gashi është shprehur kritik edhe ndaj reagimit të Bashkimit Evropian, duke thënë se deklaratat e dënimit nuk mjaftojnë nëse nuk shoqërohen me masa konkrete ndaj Serbisë. “Reagimi i Bashkimit Evropian, përmes Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, ishte i qartë në parim: “Nuk ka vend në Evropë për retorikë që arsyeton, avokon dhe glorifikon spastrimin etnik.”

Megjithatë, përtej deklaratave të tilla diplomatike, Brukseli po tregon sërish të njëjtën plogështi që ka karakterizuar politikën e tij të jashtme ndaj Ballkanit Perëndimor. Për aq kohë sa deklaratat që bëjnë thirrje për dhunë gjenocidale kalojnë vetëm me ndëshkime verbale dhe pa pasoja reale financiare apo politike, Serbia nuk do të ketë asnjë stimul për të ndryshuar sjelljen e saj.

Politika e BE-së për “përkëdheljen” e Beogradit (nën pretekstin e mbajtjes së tij larg ndikimit rus) ka dështuar të sjellë stabilitet demokratik; përkundrazi, ajo po ushqen ndjenjën e mosndëshkimit”, ka shtuar ai. Sipas tij, Bashkimi Evropian ka në dispozicion mekanizma konkretë për t’i bërë presion Beogradit, por deri më tani nuk i ka përdorur në mënyrë efektive.

“Pyetja që shtrohet tani në kancelaritë evropiane është pragmatike: A ka ardhur koha që BE-ja të kalojë nga fjalët te veprimet? Mjetet për të sanksionuar këtë sjellje ekzistojnë dhe janë mjaft efektive nëse përdoren: Ngrirja e fondeve të para-anëtarësimit (IPA): Serbia është përfituese e qindra miliona eurove nga BE-ja.

Kushtëzimi i këtyre fondeve me respektimin e vlerave evropiane do të ishte goditja më e shpejtë dhe më e ndjeshme. Pezullimi i negociatave të anëtarësimit: BE-ja duhet të bëjë të qartë se asnjë kapitull i ri nuk mund të hapet për një shtet ku anëtarët e qeverisë bëjnë thirrje hapur për spastrim etnik.

Sanksionet e shënjestruara (Targeted Sanctions): Ndalimi i udhëtimit dhe ngrirja e pasurive në BE për zyrtarët si Paunoviq dhe Daçiq do të dërgonte një sinjal të prerë se linja e kuqe evropiane nuk mund të kryhet pa kosto personale.

Rasti “Paunoviq” tregon se procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë nuk po pengohet vetëm nga çështjet teknike, por nga mungesa e thellë e ballafaqimit të Serbisë me të kaluarën e saj kriminale.

Nëse BE-ja vazhdon të mbajë rolin e spektatorit neutral, ajo rrezikon të humbasë plotësisht kredibilitetin e saj si ndërmjetësues dhe të lejojë që rajoni të rrëshqasë sërish drejt skenarëve të errët të viteve ’90”, ka përfunduar Gashi për “Bota sot”.

Burimi: Bota Sot