Trajneri grek Ioannis Diamantakos do të drejtojë skuadrën e Tiranës në basketboll për meshkuj sezonin e ardhshëm sportiv 2026-2027 në Superligën shqiptare. Klubi bardheblu, përmes një postimi në rrjetet zyrtare, ka konfirmuar ardhjen e trajnerit 52-vjeçar, që do të zërë vendin e Erkand Karaj, që pritet të ketë post drejtues në klubin kryeqytetas.
“Një kapitull i ri nis për skuadrën tonë me ardhjen e një trajneri me eksperiencë të gjerë ndërkombëtare dhe një vizion të qartë për zhvillimin dhe suksesin e ekipit”, thuhet në deklaratën e klubit Tirana.
Më tej, në deklaratë thuhet: “Ioannis Diamantakos sjell me vete një karrierë të ndërtuar në disa vende dhe kultura basketbolli, me eksperienca në drejtimin e klubeve profesioniste dhe ekipeve kombëtare në Greqi, Rumani, Palestinë, Liban dhe Arabi Saudite”.
“Me profesionalizmin dhe filozofinë e tij të punës, ai do të udhëheqë klubin drejt objektivave të vendosura, duke synuar zhvillimin e mëtejshëm të ekipit, rritjen e performancës sportive dhe arritjen e rezultateve sa më të larta”, përfundon deklarata.
