Drita e abazhurit, ulur në minimum, ndriçonte zbehtë dhomën ku flinte Murati. Nuk ishte as në gjumë, as krejt zgjuar, kur krëkëllima e bravës e ktheu përnjëherësh në vetëdije. Aty, te dera, i ishte dukur një siluetë. U ngrit fluturimthi nga shtrati, kërkoi cep më cep nëpër shtëpi, por s’gjeti askënd – ajo ishte zhdukur si një fllad, edhe pse dera e jashtme mbetej e mbyllur.
Përjashta, mjaullima e një maceje ia solli papritur në kujtesë një histori të vjetër, të rëndë. Ishin disa vite më parë. Një natë, prej dritares së hapur të dhomës së gjumit, kishte hedhur përjashta macen e vogël, Fubin.
Ajo kishte rënë nga kati i pestë mbi trotuar dhe, me pjesën më të madhe të kockave të thyera, kishte qëndruar gjithë natën rrëzë pallatit, duke mjaullitur me një dhimbje që s’harrohej lehtë. Banorët e pallatit e mbajtën mend gjatë atë mjaullimë. Në fakt Fubi s’i kishte bërë asnjë të keqe – ai thjesht kishte pasur nevojë të nxirrte diku inatin e vet.
Kishte kaluar atë natë duke u përpjekur më kot të flinte qoftë edhe një minutë; macja s’kishte lënë të flinte as atë, as askënd tjetër në pallat. Të nesërmen ishte nisur për jashtë shtetit. Sapo ai iku, fëmijët zbritën, e morën macen e ngratë dhe e çuan te veterineri. E fashuan, e mjekuan, e shëruan me mundim.
Për më shumë se dy muaj në shtëpi ra qetësia, dhe Fubi lodronte përsëri, e qetë, nëpër dhoma. Ai jetonte e punonte diku në një vilë të vendit fqinj, i strehuar nga disa miq. Pas afro dy muajsh, vodhi disa para dhe një natë ia mbathi fshehurazi, duke u kthyer plot mburrje.
Atë mbrëmje shtëpia u mbush me festë – kishte sjellë me vete një grusht monedhash, që ia hodhi përpara së shoqes: – Merri këto zhutra e blej ç’të duash, se gjithë jetën vetëm tw ankohesh di. Të dalin të blesh për gjithë lagjen, jo më për vete. Sa herë ziheshin, ajo e mallkonte dhe nuk harronte kurrë t’i kujtonte edhe rrobat e saj të brendshme: – Ti ke respekt për mua…
Ti që s’më ke blerë kurrë në jetën tënde qoftë edhe një palë… Qeshën për disa çaste, duke pirë birrë – por pastaj atij iu kujtua se ato para i kishte vjedhur, dhe nisi avazi i vjetër: e rrahu barbarisht të shoqen, në sy të djalit të vogël, duke ia shkulur pamëshirshëm flokët. Fubi ishte fshehur diku prapa rafteve; në momentin që u hap dera, ia mbathi vrapit përjashta.
Në korridor u gjend përballë saj – te sytë e maces, iu duk se kishte parë një lot. Që nga ajo ditë, Fubi nuk u kthye më. Prej kohësh gjërat në atë shtëpi nuk shkonin siç duhej, dhe fajtori i parë ishte ai vetë. Vite më parë kishte pasur një lidhje me një vartëse, dhe një ditë e kishin zënë në flagrancë.
Që atëherë gjithçka mori një rrjedhë tjetër: e shoqja nuk e respektonte më, madje e përbuzte hapur. Ai u përpoq me njëmijë mënyra t’ia “ulte hundën”, pa sukses – dhe disa herë e rrahu. Herën e fundit i ra me pëllëmbë në fytyrë me aq forcë, saqë koka e saj u përplas në mur. Ajo heshti, si gjithmonë.
Askush s’mori vesh se çfarë ndodhte pas asaj dere – kujdesej gjithnjë për fëmijët, edhe në heshtjen e saj. Pak minuta më vonë ishte në urgjencën e spitalit, e lidhur me serum, pa e zbuluar kurrë shkakun e vërtetë të asaj dhimbjeje koke të pashpjegueshme. U kthyen në shtëpi. Ajo nuk foli asnjë fjalë. U shtri në shtrat dhe kërkoi t’i thërriste tre fëmijët.
Askush nuk mori vesh se çfarë u tha. Pastaj i kërkoi djalit të madh të thërriste edhe të atin, që gjendej në dhomën tjetër. Ai hyri pa hezitim dhe e pyeti ashpër se çfarë donte. Vështrimi i saj ishte lutës, sytë të mbushur me lot. – Amanet fëmijët… – mërmëriti. – Dërgoji tek im vëlla. Ai ngriu. Në atë çast iu kujtua përplasja e kokës së saj pas murit.
Kërkesa e saj iu duk provokim, dhe i tha se fëmijët ishin të tij. Ajo u përpoq të thoshte “amanet” edhe një herë, por s’arriti – humbi ndjenjat, dhe po atë natë dha shpirt. Muaj më vonë, i biri e pyeti pse e rrihte kaq shpesh të ëmën. Ai u zu ngushtë, s’dinte ç’të përgjigjej – i kërkoi vetëm ta harronte. Të nesërmen thirri vëllain e saj dhe i tregoi një pjesë të bisedës së fundit.
Tre fëmijët shkuan të jetonin me dajën. Ai mbeti vetëm. Kur u mbush një vit nga vdekja e saj, vendosi t’i çonte lule te varri. I bleu, u nis, dhe atje gjeti tashmë tri buqeta të tjera. E kuptoi: vajza dhe dy djemtë kishin qenë pak më herët. Po pse s’ia kishin thënë edhe atij? Ndjeu vetminë të mbërthente fort, dhe frikën se edhe fëmijët po e braktisnin, ngadalë e në heshtje, ashtu si nëna.
S’kishte arritur ende t’i vendoste lulet si duhej, kur një rrëqethje i përshkoi trupin. Qimet e kokës iu ngritën përpjetë, dhe pa e kuptuar vetë, vuri dorën mbi kokë. Për pak sa nuk ulëriu – u ndal me kohë, duke mbyllur gojën me dorë. Nën lulet diçka lëvizte. Për një çast iu duk sikur nga thellësia e dheut po dilte një dorë e saj, veshur me dorezë të zezë. Ishte diçka e zezë me të vërtetë.
Por ishte thjesht mjaullima që e bëri të zmbrapsej – mjaullima e Fubit, macja që dikur e kishte hedhur nga dritarja. E shkuli një lule prej buqetës dhe ia hodhi, duke shpresuar ta trembte, por Fubi s’lëvizi. Mjaullima u bë më e fortë, më e mprehtë. Hodhi buqetën në cep të varrit dhe u betua të mos kthehej më aty. Edhe e vdekur, s’rri dot pa macen, mendoi.
Ndoshta ajo mace është vetë shpirti i saj. Me atë mendim në kokë, u kthye për t’ikur. Mjaullima e ndoqi deri sa doli nga porta e varrezave dhe u fut në makinë. Formoi një numër telefoni dhe priti. Kishte nevojë të fliste me dikë – ndoshta me fëmijët – por askush s’u përgjigj.
Prapa receptorit iu duk se dëgjoi një mjaullimë, dhe si në një kuadër filmi, iu shfaq përsëri para syve momenti te varri. Sa herë dëgjonte një mace të mjaullinte, dridhej dhe humbiste diku brenda vetes, mes kujtimeve që s’i linin qetësi. Tani ajo mjaullimë vinte nga poshtë pallatit – dhe në të njëjtin çast, silueta e saj po hapte derën e dhomës, duke qëndruar në prag.
U afrua te lavamani dhe i hodhi fytyrës një grusht ujë të ftohtë, sikur të donte t’i shkundte ato mendime ngacmuese. U bind se gjithçka ishte thjesht një lojë e kujtesës, u kthye në shtrat dhe rriti pak dritën e abazhurit. U përpoq të flinte – më kot. Mori një kuti të vogël qetësuesish nga komodina dhe piu një. Aty pranë, në një kornizë, e fotografuar nuse, ishte ajo.
Rrëshqiti dorën ngadalë nëpër trupin e vet të lakuriqtë, duke u zhytur në një ëndërr të dëshiruar prej kohësh. U përpëlit disa çaste, pastaj zgjati dorën drejt fotos – por para se ta prekte, brava e derës krëkëlliu përsëri. Dera nisi të hapej ngadalë, me një pipëtimë që i shponte veshët. U hodh sërish më këmbë dhe e ktheu dritën në maksimum.
Nuk e kuptoi dot nëse siç i ishte dukur, vërtet pa një siluetë te dera. Por mjaullimën e dëgjoi gjithë natën, deri në mëngjes.
