“Isa Mustafa po e mban peng LDK-në, beteja e brendshme po e dëmton

0%

Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-zëvendëskryetari i Bashkisë Kamëz, Vendim Demaj, ka reaguar për zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke shprehur kritika ndaj asaj që ai e quan ndikim të vazhdueshëm të strukturave të vjetra në drejtimin e partisë.

Në një prononcim për zhvillimet në LDK, Demaj ka akuzuar ish-kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafa, se sipas tij, vazhdon të ketë ndikim në zhvillimet e brendshme dhe po e pengon konsolidimin e lidershipit aktual të Lumir Abdixhikut. “ Isa Mustafa vazhdon ta mbajë peng dhe ta dëmtojë LDK-në, partinë që e themeloi Presidenti Ibrahim Rugova” , ka deklaruar Demaj.

Ai ka kritikuar nismën e një grupi anëtarësh të LDK-së për mbledhjen e firmave dhe thirrjen e Kuvendit të Përgjithshëm për të sfiduar mandatin e kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, i cili, sipas tij, vetëm shtatë muaj më parë mori besimin e anëtarësisë me 54 për qind të votave.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Vendim Demaj “ Ky është një zhvillim i paprecedentë në politikën kosovare dhe vjen në momentin më të papërshtatshëm për LDK-në dhe për Kosovën. Në vend që partia të fokusohet në sfidat e vendit dhe forcimin e rolit të saj politik, energjitë po shpenzohen në beteja të brendshme për pushtet” , është shprehur Demaj.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është vetëm rezultati zgjedhor i LDK-së, por përplasjet brenda strukturave të saj dhe frika e disa figurave të vjetra nga një forcim i mëtejshëm i Lumir Abdixhikut. “ Problemi nuk qëndron vetëm te fakti që LDK-ja u rendit e treta në zgjedhjet e 7 qershorit.

Problemi qëndron te frika e një pjese të strukturave të vjetra se një marrëveshje e mundshme ndërmjet LDK-së dhe LVV-së për krijimin e institucioneve do ta forconte politikisht Lumir Abdixhikun dhe do t’i jepte LDK-së një rol vendimmarrës në qeverisjen e vendit ”, ka thënë ai.

Demaj ka drejtuar kritika edhe ndaj figurave që, sipas tij, janë të afërta me ish-kryetarin Isa Mustafa, duke përmendur Abdullah Hotin, Agim Veliun, Arben Gashin dhe Armend Zemajn. “ Kjo është një përpjekje e grupit të njerëzve që për vite me radhë e kanë trajtuar LDK-në si pronë private.

Në vend që të kontribuojnë për ringritjen e partisë, ata vazhdojnë të merren me intriga, pazare dhe luftëra të brendshme” , ka deklaruar Demaj. Ai ka përmendur edhe disa figura lokale të LDK-së, duke i bërë përgjegjëse për rezultatin e dobët zgjedhor të partisë.

“Duhet të mos harrohen edhe disa nga humbësit kryesorë të zgjedhjeve të 7 qershorit, si kryetarët e komunave të Pejës dhe Lipjanit, Gazmend Muhaxheri dhe Imri Ahmeti ”, ka thënë ai. Sipas Demajt, LDK-ja duhet të shkëputet nga konfliktet e brendshme dhe të përqendrohet në të ardhmen. “ LDK-ja nuk mund të ecë përpara duke parë gjithmonë nga e kaluara.

Nëse vazhdon kjo logjikë e sabotimit të brendshëm, dëmi nuk do t’i bëhet vetëm Lumir Abdixhikut, por vetë LDK-së dhe trashëgimisë politike të Ibrahim Rugovës ”, ka përfunduar Vendim Demaj.

Burimi: Bota Sot