Franca ëndërronte një tjetër titull botëror, por humbja në gjysmëfinale ndaj Spanjës vazhdon të jetë e dhimbshme. Megjithatë, Franca ka gjetur motivim për ndeshjen e së shtunës për vendin e tretë kundër Anglisë.
Kylian Mbappe doli sot para gazetarëve dhe bëri të qartë se Franca do të bëjë gjithçka për të fituar, në nder të trajnerit Didier Deschamps, për të cilin kjo do të jetë ndeshja e fundit në stolin e kombëtares franceze. Prej kohësh ishte bërë e ditur se Deschamps do të largohej pas përfundimit të Kupës së Botës dhe se në vendin e tij do të emërohej Zinedine Zidane.
Mbappe theksoi se futbollistët do të japin maksimumin për t’i dhuruar trajnerit një lamtumirë me fitore, pas 14 vitesh në krye të Francës. “Didier do të thotë shumë për të gjithë ne, për futbollistët dhe për popullin francez, dhe kjo nuk ka ndryshuar. Si lojtar dhe si trajner ai ka shkruar një histori të jashtëzakonshme.
Kjo do të jetë ndeshja e tij e fundit në stolin e kombëtares dhe ne duam të luajmë për të, të fitojmë në ndeshjen e tij të fundit si selektor. Ai e meriton një lamtumirë me fitore. Edhe tifozët tanë meritojnë që ta mbyllim Kampionatin Botëror në vendin e tretë”, deklaroi Mbappe.
