Lazio përgatit ofertë prej 12 milionë eurosh për mbrojtësin e Dinamos

0%

Klubi italian Lazio ka rifilluar bisedimet me Dinamon e Zagrebit për transferimin e mbrojtësit qendror Sergi Domínguez, të cilin e konsideron një nga përforcimet kryesore për repartin defensiv. Sipas ekspertit të njohur italian të afatit kalimtar, Gianluca Di Marzio, marrëveshja mund të arrijë vlerën e rreth 12 milionë eurove. Palët po negociojnë një formulë huazimi me detyrim blerjeje.

Kontaktet mes dy klubeve kanë vazhduar dhe Lazio pritet t’i dërgojë Dinamos një ofertë të përmirësuar në ditët në vijim për të mbyllur transferimin. Më herët ishte raportuar se klubi romak kishte ofruar 3.5 milionë euro për huazimin dhe 8 milionë euro të tjera për blerjen përfundimtare, por kjo ofertë nuk i kishte bindur drejtuesit e Dinamos.

Domínguez, 21 vjeç, iu bashkua Dinamos në verën e vitit 2025 nga Barcelona për 1.2 milionë euro. Ai është produkt i akademisë së klubit katalanas, ku zhvilloi 41 ndeshje me ekipin B dhe gjashtë paraqitje me ekipin e parë. Barcelona ka ruajtur gjithashtu një përqindje nga transferimi i tij i ardhshëm.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Mbrojtësi spanjoll u shndërrua në një nga lojtarët kyç të Dinamos, duke zhvilluar 38 ndeshje në të gjitha garat, prej të cilave 37 si titullar. Ai realizoi dy gola dhe dha katër asistime. Statistikat e tij janë mbresëlënëse edhe në aspektin disiplinor, me vetëm pesë kartonë të verdhë dhe asnjë karton të kuq.

Sipas vlerësimeve mesatare, ai ishte lojtari më i mirë i Dinamos në kampionat, ndërsa Transfermarkt e vlerëson aktualisht me 9 milionë euro.

Burimi: Bota Sot