Barcelona po vijon kërkimin për një sulmues të ri, ndërsa në radarët e klubit katalanas ka përfunduar edhe Jhon Duran i Al-Nassr. Sipas “Diario Sport”, sulmuesi kolumbian i është ofruar Barcelonës në ditët e fundit, ndërsa drejtuesit e klubit po shqyrtojnë alternativat për repartin ofensiv.
Objektivi kryesor i Barcelonës mbetet Julian Alvarez i Atletico Madridit, por klubi po kërkon edhe një tjetër sulmues qendror, veçanërisht për shkak të pasigurisë rreth të ardhmes së Ferran Torresit, i cili nuk ka pranuar rinovimin e kontratës dhe ka zhvilluar bisedime me PSG-në.
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, kishte tentuar ta transferonte Duranin edhe në vitin 2025, por deri tani katalanasit nuk kanë bërë një lëvizje konkrete për 22-vjeçarin. Ndërkohë, Benfica është pranë një marrëveshjeje për ta marrë sulmuesin kolumbian në huazim me opsion blerjeje. Duran sezonin e kaluar luajti në formë huazimi te Fenerbahce dhe më pas te Zenit Saint Petersburg.
