Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz, zhvilluan të premten një takim të rëndësishëm në Gjermani, me fokus forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe siguri, pas dështimit të projektit të përbashkët për avionin luftarak të gjeneratës së ardhshme (FCAS).
Takimi u mbajt në bazën ajrore Noervenich, pranë Këlnit, ndërsa më pas delegacionet e të dy vendeve u mblodhën në një kështjellë historike, ku në vitin 1962 ish-presidenti francez Charles de Gaulle dhe ish-kancelari gjerman Konrad Adenauer hodhën themelet e miqësisë moderne franko-gjermane.
Dy liderët pritet të krijojnë një grup të përbashkët drejtues për të thelluar bashkëpunimin në sistemet e radarëve, raketat me rreze të gjatë veprimi dhe mbrojtjen raketore. Macron deklaroi se synon t’i japë një “dinamikë të re” bashkëpunimit në mbrojtje, si pjesë e vizionit për një Evropë më të fuqishme dhe më të pavarur në fushën e sigurisë, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Takimi zhvillohet në një moment të ndjeshëm për Evropën, mes kërcënimeve të vazhdueshme nga Rusia, pasigurive për angazhimin e SHBA-së në mbrojtjen evropiane dhe afrimit të zgjedhjeve presidenciale në Francë, ku Marine Le Pen konsiderohet një nga favoritët.
Pavarësisht synimit për bashkëpunim më të ngushtë, Franca dhe Gjermania vazhdojnë të kenë dallime në disa projekte strategjike, përfshirë mbrojtjen ajrore. Berlini mbështet nismën European Sky Shield Initiative (ESSI), ndërsa Parisi kundërshton pjesëmarrjen, duke argumentuar se Evropa duhet të mbështetet më shumë në industrinë e saj të mbrojtjes sesa në sistemet amerikane.
Macron dhe Merz pritet të diskutojnë gjithashtu konkurrueshmërinë e Bashkimit Evropian, buxhetin e bllokut, luftën kundër dezinformimit dhe bashkëpunimin në inteligjencën artificiale, me synimin që Evropa të forcojë pozitën e saj përballë Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
